DURRËS, 14 nëntor 2014 – Ditën e hënë, më 17 nëntor 2014 do të zhvillohet mbledhja e rradhës e Këshillit bashkiak të Bashkisë së Durrësit. Një shikim i shpejtë i rendit të ditës për një herë të con në konkluzionin, që në këtë mbledhje e majta durrsake ka vendosur t’i krehë bishtin e t’i bëjë qejfin të djathtës durrsake. Tre nga gjashtë pikat e rendit të ditës I shërbejnë një qëllimi të tillë. Kuptohet nuk bëhet fjalë për gjëra të mëdha esenciale, por për qoka të vogla, kryesisht të planit moral, sapër t’i zënë gojën PD-së, sipas formulës ja dhe juve po ju japim nje garuzhde supë, se na i lodhët veshët me qarje e ankime. Gjatë viteve të socializmit familjeve të dëshmorëve ditën e pesë majit u jepeshin me tollon me 2-3 kile mollë e portokalle si edhe ndonjë shishe raki me arësyetimin se duhen për të qerasur njerëzit, që do u vinë për vizitë në shtëpi. Në vend të dhënies pushtet pinjollëve të dëshmorëve u jepej ndonjë tollon më shumë, ndonjë dekoratë a fletë lavdërimi apo një karrike për t’u ulur në presidiume mbledhjesh përkujtimore. Në këtë derexhe është katandisur edhe PD-ja durrsake.
Pika e parë e rendit të ditës ka të bëjë me dhënien e titullit “Qytetar Nderi” të ndjerit Sokol Olldashi ish-deputet i Qarkut të Durrësit, i cili për disa vjet ka banuar në Durrës, madje ka kryer edhe shkollën e mesme në qytetin tonë. Ky nderim pas vdekjes të kujton formulën: vdis, pa të të dua. Përfaqësuesit e PS-së në parlament e në Këshillin Bashkiak, gazeta zyrtare e PS-së ZP-ja me mijëra herë e ka sulmuar të ndjerin Olldashi me emër e mbiemër për problem të rendit publik (si ish-ministër rendi), për problemet e infrastrukturës (si ish ministër trasportesh), për probleme të prekshme sociale si psh. nxjerrja e njerëzve nga shtëpitë e ish-pronarëve në palcë të dimrit, apo edhe për drejtorët e emëruar në pika kyçe të Durrësit, që të gjithë shokë e miq të të ndjerit. Sulmet e së majtë, personalisht të Ed Ramës ndaj Olldashit, shpesh herë kanë kaluar cdo cak të etikës (kujtojmë neologjizmat e Ramës të tipit Olldele), si edhe jo pak herë edhe kundërpërgjigjet e të ndjerit kanë qenë të tilla. Me këtë nderim pas vdekjes, e majta durrsake po hiqet më pro Olldash edhe se vetë deputetja Mesila Doda.
Pika e dytë ka të bjë me dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për ish-Presidentin Alfred Moisiu. Presidenti pensionist qartazi është njeri i PD-së, sepse ka qenë zv/ministër i mbrojtjes në kohën e Zhulalit ndjesë paste, d.m.th., kur qeveriste PD-ja. Ka qenë kandidaturë për president e propozuar nga Berisha, pavarësisht se Fatos Nano si diabolik, që ishte, e bleu me qoka të vogla si psh. duke ia bërë të bijën drejtoreshë materniteti, apo të nipin drejtor në Aeroportin e Rinasit. Në këtë kontekst mbetet të pyeten anëtarët e majtë të Këshillit Bashkiak, se cili është kontributi i ish-presidentit për qytetin e Durrësit, që ai të bëhet “qytetar Nderi” i Durrësit!
Pika e tretë ka të bëjë me vendosjen e emrit Shpëtim Myshketa Qendrës kulturore të fëmijëve Durrës. I ndjeri, pak kohë më parë mori edhe titullin e lartë “ Nderi i Qytetit” nga Shoqata “Durrësi”. Myshketa është pinjoll i një familje, që përgjithësisht u pa me dyshim dhe u persekutua në shkallë të ndryshme nga komunizmi.
Sot e majta durrsake, pas vdekjes i jep emrin e Shpëtimit një institucioni në varësi të saj. Kujtojmë që i ndjeri, familjarisht që në vitin 1991 u lidh fort me PD-në dhe në qeverisjen e PD-së arriti të bëhej edhe drejtor i Drejtorisë Arsimore Durrës. Përsëri e majta durrsake zbaton formulën: vdis, pa të të dua.
Do të jetë me interes për të parë se si do të sillen përfaqësuesit e PD-së durrsake për këto tri qoka, që e majta po ua bën gjithë zemërmadhësi!
/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





