• Katërfishohen furnizimet me qershi, kajsi dhe pjeshka
• Bisedime në Moskë midis Shërbimit federal për mbikëqyrjen veterinare dhe fitosanitare me ambasadën shqiptare
• Shërbimi veterinar shqiptar duhet të paraqesë gjatë javës të gjithë informacionin në lidhje me kulturat e prodhuara në vend dhe zonat ku ndodhen
DURRËS, 13 nëntor 2014 – Rusia dyshon se Shqipëria rieksporton në mënyrë ilegale fruta nga vendet e BE-së, ndaj të cilave ky shtet ka vendosur embargo.
Rosselhoznadzor-i [Shërbimi federal rus për mbikëqyrjen veterinare dhe fitosanitare] dyshon se Shqipëria bën kontrabandë frutash nga vende evropiane në Rusi, njoftoi më 13 nëntor 2014, rreth orës 17:00 (koha e Shqipërisë), agjencia zyrtare e lajmeve ITAR-TASS
Zëvendëskryetari i shërbimit Aleksej Aleksejenko deklaroi se Shqipëria është angazhuar në rieksportim të paligjshëm produktesh evropiane, ndaj të cilave Rusia ka vënë sanksione.
Aleksejenkoja vuri në dukje gjithashtu se nuk ka se si shpjegohet katërfishimi i furnizimeve me qershi, kajsi dhe pjeshka nga ai vend, gjë që nuk është e mundur.
Shto faktin se nuk janë kontrolluara certifikatat për këto produkte nga Shqipëria.
Enti rus i ka bërë të ditur shërbimit veterinar shqiptar se duhet të paraqesë gjatë javës të gjithë informacionin në lidhje me kulturat e prodhuara në vend dhe zonat ku ndodhen.
Rosselhoznadzor-i thotë se “dëshiron të shmangë ndalimin e importimit të frutave nga Shqipëria”.
Ndoshta dhe për faktin se Shqipëria importon me mijëra tonë grurë nga Rusia (sipas statistikave zyrtare të Autoritetit Portual Durrës, në periudhën 9-mujor 2014, nëpërmjet portit të Durrësit, janë importuar 166 480 tonë grurë, pjesa më e madhe nga Rusia).
Ndërkohë Rosselhoznadzor-i njoftonte në faqen e vet (shih faksimilen) se më 13 nëntor 2014 do të zhvillonte bisedime me ambasadën e Shqipërisë në Moskë, lidhur me “situatën “krijuar nga furnizimet shqiptare, që ndalohen të hyjnë në Rusi”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





