DURRËS, 13 nëntor 2014–  Miqësoret e luksit ndaj Francës dhe Italisë kanë dhe anën e errët të medaljes. Pavarësisht se për të gjithë Shqiptarët një përballje me Italinë është një ëndërr, për skuadrën e drejtuar nga De Biasi mund të rezultojë shumë e rrezikshme, duke pasur parasysh se më parë do të luhet me Francën. Në konferencën për shtyp përpara nisjes drejt Rene, numri një i stolit kuqezi bëri të ditur se do të jenë dy miqësore ku është e vështirë të mendosh për pikët përpara se të mendosh për mospësimin e shumtë të golave. Në këtë kontekst, në rast se ndeshjet përfundojnë me goleada për kundërshtarët, Kombëtarja Shqiptare rrezikon shumë në aspektin psikologjik edhe pse shkon e përgatitur për cdo lloj rezultati në këto dy miqësore. Megjithatë De Biasi ka punuar edhe në këtë aspekt, dhe kjo është parë tek liria në seancat stërvitore karshi mediave, por edhe liria që i ka dhënë ekipit duke bërë që të darkojë edhe jashtë kompleksit ku kuqezinjtë gjendeshin të grumbulluar. Për të ulur sadopak stresin përpara këtyre dy miqësoreve, italiani është shfaqur në humor në konferencën për shtyp përpara nisjes, gjë që ia ka transmetuar edhe ekipit. Madje përpara nisjes drejt Francës, grupi kuqezi ka pasur edhe një vizitë të befasishme në ambientet e kompleksit “Tropikal”, pasi me ta është bashkuar edhe kryeministri i vendit, Edi Rama, që nuk ka preferuar të bëjë publike këtë vizitë të tijën pranë ekipit kombëtar, të cilët janë befasuar nga dicka e tillë. Ndërkohë përsa i përket fushës, De Biasi pritet t’i japë hapësirë të gjithëve në këto dy miqësore, pasi ka treguar që në ndeshjet miqësore është i prirur të provojë skema të reja apo të vjetra me futbollistë të rinj. Por pavarësisht eksperimenteve, italiani e di fare mirë që humbjet e thella duhen evituar, pasi mund të ulet morali i grupit në vigjilje të sfidës me Armeninë më 29 mars të vitit të ardhshëm.