Nga ILIR DHIMA
Nga mediet u mësua, se Gjykata Kushtetuese vendosi dje të rrëzojë një nga kërkesat që përmban ankimi drejtuar asaj nga Presidenti i Republikës, kundër ligjit të ri për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Të kuptohemi, vendimi i djeshëm nuk ishte përfundimtar ndaj tërë ankimit të Nishanit, por vetëm ndaj njërës prej kërkesave të objektit të këtij ankimi. Konkretisht, ajo për të pezulluar veprimet e mazhorancës parlamentare, që pas shkarkimit (për shkelje të ligjit dhe Kushtetutës) të zëvendëskryetarit të KLD dhe një anëtari tjetër të këtij organi u zgjodhën dy juristë të tjerë nëpërmjet votave me shumicë absolute në Kuvendin e Shqipërisë.
Pra, këta dy të fundit legjitimohen që, deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, të ushtrojnë funksionet e reja dhe, në këtë kuptim, organi i rishikimit kushtetues i shqiptoi një parathënie me ‘Jo!’ pretendimeve të Presidentit Nishani kundër dispozitave të ndryshuara dhe atyre të shtuara në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në të vërtetë, vendimi i djeshëm nuk mund të cilësohet si i tillë, pra si një parathënie me ‘Jo1’, vetëm e vetëm me një shprehje të ndërmjetme të vullnetit të gjyqtarëve kushtetues.
 Por, ajo që diktoi vënien e një titulli të tillë komentit të sotëm ka të bëjë me një sërë gjasash të krijuara nga përmbajtja e germës dhe fryma e nenit 147 etj të Kushtetutës, në interpretim të të cilave Gjykata është shprehur edhe me një vendim të kohëve më parë, duke shfuqizuar si të papajtueshëm me Kushtetutën një ligj të miratuar nga e njëjta forcë politike që ka zgjedhur njëanshmëanshmisht Bujar Nishanin në postin e Presidentit të Republikës.
Për shpjegimet vijuese në mbrojtje të brendisë së titullit tonë, le të përqëndrohemi fillimisht në planin e së kaluarës, kur mazhoranca e atëhershme (aktualisht në opozitë) dhe Qeveria e dalë prej saj bënin kritika të rrepta ndaj KlD. Pra, ende pa filluar një reformë tërësore e sistemit të drejtësisë, këto organizma apo struktura të larta shtetërore ndërmorën sapo hipën në pushtet një nismë për ndryshimin e ligjit organik të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, nëpërmjet miratimit të ligjit nr. 9448, datë 5.12.2005, sipas të cilit, anëtarët e KLD që vinin nga radhët e gjyqtarëve duhej ose të ushtronin detyrën prej nga u zgjodhën, ose të ushtronin detyrën e anëtarit të KLD me kohë të plotë. Ndryshime të tilla ose, më saktë, pikëpyetja që i vinte ata para kësaj dileme, veç të tjerash, argumentoheshin me nevojën e shmangies së konfliktit të interesave të atyre anëtarëve të KLD, që ishin njëkohësisht gjyqtarë, dhe si të tillë mund të ndikonin edhe gjatë ushtrimit të kontrolleve në gjykatat e juridiksionit të zakonshëm ku ata vetë punonin.
Ky ligj i vitit 2005 u bë objekt ankimi në Gjykatën Kushtetuese nga një grup deputetësh të opozitës së asaj kohe. Pas shqyrtimit të ankimit, kjo Gjykatë mori më 22 prill 2006 një vendim, me anë të të cilit çmonte që shtesat dhe ndryshimet e bëra nga mazhoramca ligjit për KLD jo vetëm që dobësonin vetvqeverisjen e gjyqësorit, por vinin në kundërshtim edhe me rregullimin që u ka bërë Kushtetuta përbërjes dhe funksionimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kështu që, organi i rishikimit kushtetues vendosi shfuqizimin e të gjitha neneve të ligjit të 2005 – s, me përjashtim të nenit 1 të tij, që specifikonte se juristët e zgjedhur nga Kuvendi si anëtarë të KLD nuk duhej të qenë gjyqtarë.
Ai ligj ishte në kundërshtim me germën dhe frymën e nenit 147 të Kushtetutës, pothuajse në të gjitha dispozitat e këtij neni. Le ta fillojmë që nga paragrafi 1 i tij. Këtu thuhet, përpos të tjerash, se: “Këshilli i Lartë i Drejtësisë përbëhet nga…9 gjyqtarë të të gjitha niveleve, të cilët zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare”.
Pra, ata zgjidhen në përfaqësim të organizmit më të lartë të gjyqësorit të zakonshëm, dhe, si të tillë, nuk do t’i përgjigjeshin këtij përfaqësimi, nëse menjëherë sapo zgjidheshin duhej të hiqnin dorë nga funksioni i gjyqtarit. Aq më tepër që Kushtetuta e koncepton KLD si organ të “vetëqeverisjes së gjyqtarëve”. Zgjidhja që jepte ligji i 2005-ës që gjyqtari të zgjidhte vetëm njërën nga dy detyrat binte ndesh edhe me fjalinë e fundit të paragrafit 1 të nenit 147 të Kushtetutës, ku thuhet që: “Anëtarët e zgjedhur qëndrojnë detyrë për 5 vjet pa të drejtë zgjedhjeje të menjëhershme”, në një kohë që neni 138 përcakton, se koha e gjyqtarëve në detyrë nuk mund të kufizohet.
Ka edhe disa shpjegime të tjera, që e shtynë më 2006-ën Gjykatën Kushtetuese të shfuqizonte ligjin e 2005-ës, si antikushtetues. Por, le të vijmë te ankimi i Presidentit Nishani ndaj ligjit të ri për KLD, posaçërisht te dispozita që e urdhëron Presidentin e Republikës, i cili sipas nenit 147/2 të Ligjit Themelor të shtetit është Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të propozuar zëvendëskryetar të këtij organi një nga tre anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi.
Me sa kuptohet, meraku i Nishanit qëndron te fakti që kështu ligjvënësi ia mblidhka “këmbët në një këpucë”, kur atij do t’i duhej që për të kënaqur orekset e opozitës, nga e cila përflitet se merr urdhra, të zgjidhte si zëvendës të tij permanent në KLD një anëtar tjetër nga radhët e gjyqtarëve në përbërje të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Por, të mos harrojmë që zëvendëskryetar të KLD u caktuan dy herë rresht jo gjyqtarë, por pikërisht anëtarë të zgjedhur në Kuvendi me votat e mazhorancës së kaluar. Dhe, për ta freskuar kujtesën rreth këtyre fakteve mund të hapen procesverbalet e seancave parlamentare përkatëse dhe ato të mbledhjeve të KLD; mund të gërmohet edhe nëpër arkiva shtetërore, ku gjenden madje edhe shkresa të ndonjë ministri të Drejtësisë, që për postin në fjalë adresonte emra konkretë.
Sidoqoftë, edhe tani, por duke shpresuar se nuk do të ndiqen më praktikat antiligjore të ministrave dhe qeverive të Berishës, nuk do të caktohet si Zëvendëskryetar i KLD një anëtar i tij që ushtron njëkohësisht detyrën e gjyqtarit. Kjo nuk mund të ndodhë, edhe nëse aktualisht ligjvënësi të mos e kishte vendosur ndërmjet amendimeve aktuale të ligjit për KLD dispozitën që preokupon Nishanin. Nuk mund të ndodhë, sepse ka arsye bindëse që Gjykata Kushtetuese i ka dhënë qartë në një vendim të vet prej më se tetë vitesh.
Aq më tepër kur, së paku dispozitat te Pjesa e Nëntë (‘Gjykatat’) e Kushtetutës, ku renditet edhe neni 147 i cituar më lart, ende nuk kanë pësuar ndonjë amendim. Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese ka kompetencë ligjvënëse, sepse kur vendos të shfuqizojë një ligj, si ai i 2005 – s, ajo ia ka nënshtruar vullnetin e asaj force politike (që tashmë nuk përbën më shumicë parlamentare) vullnetit më të lartë të popullit që ka miratuar sanksionimin e Kushtetutës. Vështruar prej kësaj optike, Gjykata Kushtetuese do ta kishte pothuajse të që të mohonte argumentet e saj të mëparshme për të njëjtën çështje dhe në kushte të njëjta, përveçse me sforcim arsyetimi, që nuk është në natyrën dhe rolin e këtij organi të rishikimit kushtetues.
Prandaj, qoftë edhe vetëm vendimi i djeshëm, si i ndërmjetëm, me plot gjasa paralajmëron rrëzimin e ankimit të Presidentit Nishani, në të gjithë objektin e këtij ankimi, çka do të çonte medoemos në caktimin e një prej anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi në KLD, si zëvendëskryetar i këtij organi të “vetëqeverisjes së gjyqësorit”. Më tej, ndoshta nuk do t’i ishte e këshillueshme të vazhdonim me shpjegime të tjera. Nuk do të ishte e këshillueshme, edhe sepse vetë kuptimi dhe zakoni i përdorimit të fjalës ‘parathënie’ ka të bëjë me renditjen e mendimeve të ngjeshura në faqe të kursyera.    
/Shqiptarja.com, 7 nëntor 2014/