·        Agjencia e famshme e transporteve detare u krijua në vitin 1991 nga i ndjeri Feruz Mataj, i cili, në janar 2008, ia kaloi 100 për qind të aksioneve të birit z. Genc Mataj

DURRËS, 2 nëntor 2014 – Pas 23 vjetësh agjencia  Pelikan shkrihet në një  joint venture me gjigantin francez të transporteve detare CMA CGM Albania shpk, këtë e bën të ditur Autoriteti shqiptar i Konkurrencës, ngjarje e bujshme kjo për qarqet e biznesit durrsak dhe rajonal.

Në një njoftim paraprak përqendrimi, para disa ditësh, Autoriteti i Konkurrencës thotë se më 3 tetor 2014 ka marrë njoftimin e transaksionit të realizuar në bazë të “Marrëveshjes së ortakëve” e nënshkruar midis palëve  Pelikan ShpkCMA CGM Agencies Worldwide, më 25 qershor 2014, me objekt krijimin e një ndërmarrjeje të përbashkët të pavarur (joint venture) CMA CGM Albania Shpk.

Sipas njoftimit, nga shqyrtimi i dokumentacionit rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenet 10, pika 3) dhe 12, pika 1) dhe 2, të Ligjit.

Antitrusti i Tiranës thotë se  kjo ndërmarrje e përbashkët,  CMA CGM Albania Shpk Joint Venture, e cila është krijuar në bazë të marrëveshjes së ortakëve do të ketë si objekt të aktivitetit të saj: prokurimin e shërbimeve të agjencisë në fushën tregtare dhe atë të transportit detar; kryerjen e veprimeve multimodale si transport në tokë dhe spedicionin e mallrave, prokurimin e shërbimeve të tjera mbështetëse në lidhje me transportin me anë të të gjitha mjeteve.

Njoftimi paraprak jep informacion mbi veprimtarinë e palëve pjesëmarrëse:

Pelikan shpkështë një shoqëri shqiptare që ushtron aktivitetin e saj dhe ka si objekt të veprimtarisë së saj: agjenci doganore, agjenci detare, agjenci spedicionere në transportin detar, tokësor, automobilistik, transport mallrash dhe udhëtarësh brenda dhe jashtë vendit;

CMA CGM Agencies Worldwideështë një shoqëri franceze dhe ushtron aktivitetin në: tregun e linjave të kontenierëve për transport detar, shërbime marinare, shërbime të transportit detar Ro-Ro, shërbime të terminalit të kontejnerëve dhe shërbime logjistike, etj.

Në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, deri më 2 nëntor 2014,  Pelikan shpk nuk ka depozituar “Marrëveshjen e ortakëve” të nënshkruar midis palëve  Pelikan Shpk – CMA CGM Agencies Worldëide, më 25 qershor 2014, për krijimin e ndërmarrjes së përbashkët  CMA CGM Albania Shpk, me sa duket, në pritje të OK-it zyrtar të Autoritetit të Konkurrencës.

Info

Agjencia  Pelikan u formua në vitin 1991 nga i ndjeri ing. Feruz Mataj (1931-2014).

Nga viti 1991 deri në vitin 1994 agjencia ka operuar për shpërndarjen e ndihmave humanitare për Shqipërinë nga Italia dhe vendet e tjera të Evropës nën emrin “Pelicano” “Pelikan”.

Në vitin 1995 agjencia  Pelikan privatizohet si shoqëri më vete me drejtim kryesor operacionet logjistike.

Në vitin 2002 Pelikan shpk caktohet si përfaqësuesja zyrtare në Shqipëri për linjën e transportit ndërkombëtar të kontejnerëve  Medazov Line.

Në vitin 2006 agjencia  Pelikan shpk caktohet si përfaqësuesja zyrtare e linjës transportit ndërkombëtare me kontejnerë  CMA CGM France me aktivitet kryesor import-eksportin e mallrave me kontejnerë nga e gjithë bota.

Agjencia  Pelikan mbulon për linjën të gjithë zinxhirin logjistik që në kontaktet me agjencitë ndërkombëtare, portin e ngarkimit, agjencinë detare, spedicionere, portin e Durrësit, Durrës Container Terminal, operatorët e ngarkim-shkarkimit Durrës, agjencinë doganore, transportin e brendshëm, transportin me kamionë, transportin me trajlerë, transportin intermodal në Shqipëri, Ballkan dhe më gjerë.

Sot agjencia  Pelikan shpk me qendër në Durrës operon me më shumë se 100 punëtorë në seksione te ndryshme.

Aktualisht agjencia është e renditur si kompania e transportit më e mirë në Shqipëri dhe pjesën kryesore të Ballkanit.

Gjithashtu  Pelikan-i është agjencia, e cila i jep asistencë ambasadës dhe ushtrisë italiane në çdo operacion që ata kryejnë në territorin shqiptar.

Duke parë ecurinë e saj këto vite që operon në treg, agjencia ka zgjeruar së fundmi aktivitetin e saj dhe në Maqedoninë fqinje si dhe në Kosovë, duke hapur agjenci bija në këto vende.

Më 14 janar 2008, themeluesi dhe ortaku i vetëm, Feruz Mataj, i kalon 100 për qind të aksioneve të birit, z. Genc Mataj.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/