DURRËS, 13 tetor 2014 –  Patrick Modiano është në Francë shumë i vlerësuar, i lexuar dhe i nderuar me çmime. Por në arenën ndërkombëtare ai është pak i njohur. Tani kjo do të ndryshojë, sidomos pasi librat e hollë të shrimtarit të lindur në vitin 1945 në Boulogne-Billancourt janë të shkruara në një gjuhë të thjeshtë, lehtësisht të lexueshme, por megjithatë elegante. Neue Zürcher Zeitung e përshkruante atë dikur si "mjeshtër të maskaradës gri të mjegullt që në veprat e tij hedh gjurmë autobiografike të cilat i fshin menjëherë më pas ".

Patrick Modiano jeton në Paris dhe ka shkruar rreth 30 libra, kryesisht romane, por edhe disa libra për fëmijë. Ato tregojnë kryesisht për kohën e pushtimit gjerman të Francës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe për persekutimin e hebrenjve, si dhe për periudhën e pasluftës dhe vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar.

Librat e tij janë libra shumë të veçantë kujtimesh që kanë në qendër kërkimin e dhimbshëm, ndonjëherë edhe hetues të figurave për identitetin dhe të kaluarën e tyre, thuhej në argumentimin e komitetit për Çmimin Nobel. "Qëllimi im është që të përpiqem të riprodhoj një botë në muzg", kishte thënë një herë Modiano. "Unë përshkruaj kohën e okupimit, për shkak se ajo më ofron një atmosferë ideale të turbullt dhe një dritë të veçantë."

Kërcënimi ekzistencial i persekutimit në vitet tridhjetë dhe dyzetë të shekullit XX rezonon në shumicën e romaneve të Modianos.