·      Virusi i tmerrshëm duhet të jetë emergjencë e sigurisë kombëtare, jo vetëm për institucionet e mjekimit dhe shëndetësisë publike, por edhe për bashkinë, institucionin e prefektit, SHISH-in, policinë e kufirit e migracionit, kapitanerinë, doganën etj.

DURRËS, 12 tetor 2014 –  Ndërmarrja shtetërore  Autoriteti Portual Durrës (APD) ka një strukturë shërbimi epidemiologjik, që mbështetet dhe Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) dhe aktorë të tjerë, ka forcuar kontrollet dhe marrë masa për të ndërgjegjësuar udhëtarët dhe detarët mbi Ebolën, simptomat dhe pasojat e saj.

Në vende të ndryshme të terminalit të udhëtarëve dhe portit janë afishuar materiale me informacione mbi Ebolën.

Një autoambulancë dhe karantina janë vendosur në gatishmëri për të shoqëruar personat me simptoma të dyshimta, të cilët më pas duhet t’u nënshtrohen analizave të kryera në laboratorë specifikë jashtë vendit.

Përveç shkëmbimit të informacionit mbi gjendjen gjatë udhëtimit me mjekët e trageteve dhe anijeve që prekin portin e Durrësit, ekipi prej 5 personash bën edhe verifikimin e gjendjes shëndetësore të udhëtarëve dhe marinarëve.

Më të vëzhguar janë ekuipazhet e anijeve që lundrojnë dhe ndalojnë në portet e Afrikës, kontinenti nga ku po importohet virusi i frikshëm.

Ebola duhet të jetë emergjencë e sigurisë kombëtare, jo vetëm për institucionet e mjekimit dhe shëndetësisë publike, por edhe për bashkinë, institucionin e prefektit, SHISH-in, policinë e kufirit e migracionit, kapitanerinë, doganën etj. Thjesht për faktin se në port hyjnë anije me ngarkesa, kontejnerë nga Afrika; ka mjete lundruese me flamur dhe ekuipazh nga ky; po ashtu eksportojmë çimento me anije-lajner për në Libi etj.

Ky informacion që merret nga dogana, kufiri, kapitaneria etj. duhet t’i jepet vetëm shërbimit epidemiologjik, por duhet trajtuar dhe nga institucionet e sigurisë kombëtare.

Po ashtu, këto institucione duhet të verifikojnë dhe në agjencitë turistike të dhënat për flukse hyrje-daljeje nga dhe në vendet afrikane.

Info

Ethja hemorragjike “Ebola” është një sëmundje virale e shkaktuar nga virusi “Ebola” (Filovirus), që rezulton me simptomatikë jo-specifike në fillim të sëmundjes, e cila shkakton shpesh hemorragji të brendshme dhe të jashtme gjatë zhvillimit të saj.

Ethja hemorragjike “Ebola” është konsideruar si një nga infeksionet më vdekjeprurëse virale; shkalla e vdekshmërisë së saj është shumë e lartë gjatë shpërthimit (nga 50 deri në 100 për qind e njerëzve të infektuar, në varësi të llojit të virusit “Ebola”).

Ethja hemorragjike “Ebola” u vu re për herë të parë në Zaire (sot Republika Demokratike e Kongos) në vitin 1976.

Shpërthimi fillestar ka ndodhur në një fshat pranë lumit Ebola, prej nga ku mori dhe emrin sëmundja. Gjatë kësaj kohe, virusi shkaktar u identifikua në transmetimet nga kontaktet e drejtpërdrejta me të sëmurët.

Ndërkohë, të dhënat më të fundit e OBSH-së tregojnë një rritje të mëtejshme të numrit të të vdekurve nga shpërthimi i “Ebola”-s aktuale  (më i rëndi i ndodhur  ndonjëherë), në një total prej 8 033 rastesh dhe 3 865 të vdekur.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/