8 tetor 2014– Kapiteni i Kombëtares së Serbisë, Branislav Ivanoviç ka lëshuar një intervistë për mediat vendase në prag të dy sfidave eliminatore kundër Armenisë dhe Shqipërisë. Mbrojtësi i Chelseat është ndalur edhe në çështjen e pranisë së tifozëve shqiptarë në Beograd, duke folur me tone sportive. 
"Në aspektin sportiv është mirë që edhe rivalët tanë të mbështeten nga tifozët e tyre por nëse ka një rrezik potencial në aspektin e sigurisë, atëherë ndoshta mund të jetë më mirë që të mos vijnë dhe as tifozët tanë të mos shkojnë. Gjithsesi, një vendim është marrë dhe unë nuk dëshiroj të humbasim kohën me këto gjëra. Ndaj Shqipërisë duhet të përgatisim një atmosferë madhështore dhe mënyra më e mirë është që të fitojmë ndeshjen e parë kundër Armenisë. Me 6 pikë në xhep mund të ecim më të qetë drejt objektivit tonë", është shprehur Ivanoviç.
Në vijim të konferencës për shtyp, mbrojtësi i Serbisë u përqendrua te çështja e përjashtimit të Adem Ljajiç, duke u shprehur se vendimin në këto raste e merr trajneri. 
Ivanoviç u pyet gjithashtu edhe për ndeshjen e radhës në Armeni, e cila do të luajë pa yllin e saj, Mkhitaryan por kapiteni i Serbisë kërkon të ulë entuziazmin për këtë fakt. 
"Ndeshja do të luhet 11 kundër 11 dhe na takon ne të tregojmë në fushën e lojës se sa jemi rritur vitin e fundit. Trajneri Advocaat na kujton përherë se këto ndeshje për ne janë si finale. Skuadra jonë ka një potencial të madh por ndonjëherë kjo nuk mjafton. Gjithsesi ne kemi për detyrë të kërkojmë deri në fund kualifikimin për në Euro 2016", përfundon mbrojtësi i Chelseat.