DURRËS, 8 tetor 2014– Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ka deklaruar se Këshilli i Lartë i Drejtësisë është shndërruar në celulë qokash, ndërsa anëtarët e tij janë vetëpromovuar. “KLD është celulë qokash. Një nga anëtarët e KLD u zgjodh si anëtar i këshillit të Shkollës së Magjistraturës, ndërkohë ka pasur dhe raste të tjera të konfliktit të interesit. Për këto raste morëm vendimin që anëtarët e KLD mos të jenë promovohen në ushtrimin e detyrës, deri në një vit pas mandatit. Një KLD që mburret se ka bërë vlerësimin e gjyqtarëve në vitet 2005-2006!”, deklaroi Naço. Në këto kushte, tha Naço, Ministria e Drejtësisë u detyrua të propozojë projektligjin për emërimin e gjyqtarëve. “Duke parë këtë, Ministria e Drejtësisë propozoi një projektligj për emërimin e gjyqtarëve, dhe një projektligj u shpërnda gjithë aktorëve të këtij sistemi. Ky është i njëjti model që përdor dhe ILDKP. Ka modele që ne kemi marrë dhe po i bëjmë me ligj. Ky lloji sistemi ja heq këto mundësi dhe shanse”, tha Naço. Ministri theksoi se reforma do të prekë gjithë sistemin e drejtësisë, ndërsa i bën thirrje opozitës që të bëhet pjesë e saj. “Reforma do jetë në të gjithë sistemin. Nuk është receta jonë, nuk është fjala jonë që i vumë vulën. Dhe në fjalën e zotit Bylykbashi u ndal në disa ndryshime që kemi bërë në muajin korrik. I quajnë anti-kushtetuese, të zeza dhe që kapëm sistemin”, tha Naço. Ministri i Drejtësisë, vlerësoi tryezën për reformën në drejtësi, duke nënvizuar se qëndrimet e kreut të shtetit dhe të mazhorancës gjetën gjuhën e përbashkët. “Konferenca ishte një hap në drejtimin duhur. Dua të falënderoj Presidentin e Republikës për nismën e marrë. Ishte dita dje për të folur dhe për të dhënë gjithsecili vizionin vet. Falënderoj edhe përfaqësuesit e opozitës që ishin të pranishëm jo për të shtrënguar duart për të parë një fotografi, por për të diskutuar. Kjo që u bë ishte planifikuar edhe nga mazhoranca. Ideja e Presidentit ishte të bëhej në nivel ekspertësh. Ideja jonë ishte më e gjerë. Të dyja draftaxhendat u bënë në një, ndaj ishte një hap pozitiv. Mendoj që dje i dëgjuam të gjithë aktorët dhe partnerët ndërkombëtare”, u shpreh Naço. Ai shprehu shqetësimin për gjendjen aktuale në të cilën ndodhet sistemi i drejtësisë. “Të gjithë bien dakord që sistemi ynë gjyqësor është i sëmurë. Ne kemi probleme me gjyqësorin. Ne kishim lançuar disa shtylla si e mendojmë ne reformën. Ai material u shpërnda edhe dje në konferencë”, tha Naço.
/Sot News/





