DURRËS, 7 tetor 2014Ja debatet në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit të PS. Rivaliteti i heshtur, lufta e nervave dhe përplasjet e nëndheshme mes dy figurave më me ndikim dhe influencë sot në Partinë Socialiste, kanë dalë dje në pah, gjatë një mbledhjeje me dyer të mbyllura të grupit parlamentar socialist. Bëhet fjalë për kryetarin e grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi dhe deputetit Koço Kokëdhima. Ruçi dhe Kokëdhima janë përfshirë dje në një debat të fortë dhe në një përplasje verbale. Shkaku real duket se është roli i ri i fuqishëm i Kokëdhimës në të gjithë jugun e vendit, por në fakt objekt i debatit kanë qenë sjelljet jo korrekte të Koço Kokëdhimës dhe mosrespektimi i udhëzimeve të Ruçit për të frekuentuar jetën parlamentare në të gjithë dimensionet e saj. Ruçi i është drejtuar Kokëdhimës me një ton të ashpër, duke i thënë se ai ishte prototipi i deputetit që nuk i bindet rregullave të grupit parlamentar dhe se ishte një kosto për partinë. Kokëdhima ka reaguar menjëherë, duke i kujtuar Ruçit të mos bënte rolin e mësuesit. Gjithsesi, tensioni në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, reflekton një shqetësim të përgjithshëm të deputetëve të PS të Qarkut të Vlorës, Gjirokastrës, Fierit dhe Beratit, për fuqinë që ka marrë Kokëdhima në jug të vendit.    Debatet në mbledhjen e grupit të PS    Sharje, ofendime, akuza dhe kundërakuza janë shkëmbyer dje në mbledhjen e grupit parlamentar socialist mes Gramoz Ruçit dhe deputetit socialist Koço Kokëdhima. Shkak për këtë janë bërë mungesat e herëpashershme të deputetit socialist në mbledhjet e komisioneve të përhershme parlamentare. Kreu i grupit parlamentar socialist, ka kritikuar ashpër dhe me tone të larta deputetin Koço Kokëdhima për mungesat në komisione dhe mbledhje grupi.

Sipas burimeve, mësohet se, Ruçi i është referuar rastit të djeshëm, ku deputeti Kokëdhima nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit për Ekonominë dhe Financat. Kaq ka mjaftuar që gjakrat të nxeheshin dhe fyerjet të merrnin një tjetër rrjedhë. Deputeti Kokëdhima duke iu drejtuar Ruçit, i ka thënë se ai nuk ishte mësues për t’i kërkuar llogari dhe as deputetët nuk ishin fëmijë shkolle. “Je bërë si mësues, duke na kërkuar llogari. Po flet sikur të jemi fëmijë shkolle. Unë nuk kam munguar ndonjëherë në mbledhjet që janë zhvilluar, por kur kam detyrime të tjera, duhet t’i marr parasysh”, tha Kokëdhima.

Por, menjëherë ka reaguar Ruçi, i cili e ka konsideruar deputetin socialist, si një ndër prototipat që mungonte më shumë në mbledhjet e komisioneve dhe mbledhjet e grupit parlamentar, ndërsa i ka kujtuar më tej se, ai ishte zgjedhur deputet pikërisht për të qenë i pranishëm në mbledhjet që zhvillohen dhe seancat plenare. “As unë nuk jam mësues dhe nuk po të trajtoj si fëmijë shkolle. Nuk jemi në klasë këtu. Ti je një ndër prototipat që mungon më shumë në mbledhjet e komisioneve parlamentare dhe mbledhjet e grupit. Sot në Komisionin e Ekonomisë nuk ke qenë i pranishëm, ndërkohë që deputetët e tjerë po diskutonin për një projektligj të rëndësishëm”, ka reaguar Ruçi. Por, debati ka degraduar deri aty sa është dashur ndërhyrja e deputetëve të tjerë socialistë. 

   Ngjela: Rama i vetëm në luftën ndaj korrupsionit  

Avokat Spartak Ngjela deklaroi se kryeministri Edi Rama është i vetëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai shtoi se, nuk mund të ketë reformë në drejtësi nëse nuk ndryshon sistemi. Ngjela tha se në vendin tonë korrupsioni është në radhët e zyrtarëve të lartë, në nivele të krimit shtetëror.“Kemi një sistem legal, i cili është i gjithi i korruptuar. Prokuroria e korruptuar, gjykata, avokatia, noteria të korruptuara, kështu që dhe hetimi është i pavlerë. Pse ndodh? Se nuk goditet krimi dhe nuk mbrohen të drejtat. Pushteti gjyqësor duhet të mbrojë pronën, aktivitetin ekonomik, dinjitetin e personalitetin. Asnjëra nga këto nuk mbrohet. Kudo ka shkelje. Korrupsioni është krim shtetëror. Ka një marrëveshje të heshtur mes qeverisjes së korruptuar dhe gjyqësorit të korruptuar. Çështja është si do ta zgjidhim këtë konflikt? Duhet rregulluar duke ndryshuar sistemin, një sistem i vjetër sovjetik, totalitar. Reforma në drejtësi kur ndërron sistemin nge nivelin e detit dhe mbyten të korruptuarit. Ne duhet të ngremë nivelin e detit të mbyten të tërë. Korrupsioni është i niveleve të larta, është krim shtetëror, por ne s’kemi sistem për ta luftuar”, tha avokat Ngjela. I pyetur për qëndrimet e opozitës dhe kundërshtitë me mazhorancën sa i përket kësaj reforme, Ngjela thotë: “Ata kanë frikë sepse kanë abuzuar” .Sipas tij, në ndryshim nga qeveria e shkuar, që sipas tij ka ende në dorë gjyqësorin, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të mos bëjë paktin për të shitur drejtësinë. “Qeveria e rrëzuar mbrohet me një gjyqësor qe e ka vënë vet. Gjithë këtë zallamahi e presin me shpatullat e veta shqiptarët se pengohen të hyjnë në BE. Kryeministri dallohet që është i shqetësuar dhe kjo është shenjë e mirë. Krimi nuk e ka kapur kryeministrin aktual, interesi i karrierës së këtij kryeministri është kthimi i drejtësisë….deri tani nuk ka treguar lartësi në këtë çështje. Ai duhet ta fillojë betejën politikisht. Duhet të krijojmë qenin, instrumentin për të goditur krimin shtetëror. Dhe ky instrument është sistemi i ri. Rama nuk po pranon marrëveshjen e fshehtë! Që të shesë drejtësinë”, u shpreh Ngjela.

/marrë nga “Sot News”/