DURRËS, 6 tetor 2014 – Open Data Albania analizoi koston vjetore që shpenzon shteti për të mbajtur në burgje persona të paraburgosur ose të burgosur për vuajtje dënimi.

Është marrë vlera e shpenzimeve buxhetore për të gjitha transaksionet e vitit 2013 dhe ky total është pjesëtuar me numrin të personave të burgosur dhe të paraburgosur në një datë të caktuar të vitit si dhe është e dhëna për muajin prill 2013.

Ka dalë se koston më të lartë për të burgosur gjatë vitit 2013 e ka pasur spitali i burgut Tiranë, i cili ka shpenzuar rreth 7.2 milionë lekë për person.

Institucione të tjera me kosto të larta kanë qenë dhe paraburgimi Tropojë me kosto për person rreth 2.4 milionë lekë, paraburgimi Kukës rreth 1 milionë lekë etj.

Institucioni buxhetor me koston më të ulët për të burgosur ka qenë burgu i Lezhës me rreth 241 mijë lekë, pasuar nga ai i Rrogozhinës me 266 mijë lekë, i Peqinit me 284 mijë lekë.

Paraburgimi i Durrësit ka pasur 290 të ndaluar me një fond 111 190 132 lekë, ose me kosto mesatare vjetore pror secilin prej 383 414 lekë.

Aty-aty ka qenë dhe burgu Fushë-Krujë, ku për 377 të arrestuar ka pasur një fond 148 616 682 lekë, me kosto vjetore 394 208 lekë

Por ka qenë më “i shtrenjtë” burgu i Krujës,ku për 92 të prangosur u dhanë nga buxheti i shtetit 77 474 915 lekë, ose kosto mesatare vjetore prej 842 118 lekë,.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/