DURRËS, 6 tetor 2014– Këtë fundjavë financa italiane i kishte nxjerrë “për peshkim” të gjitha mjetet detare, që kishte në dispozicion në zonën nga ngulimi arbëresh i Kampomarinos (Campomarino) deri në zonën e Torre Fantine-s. Në vend të peshkut gomonet, anijet patrulluese, motovedetat si edhe një helikopter i finacës arritën të kapin jo pak por 2 200 kg kanabis. Të dielën u “peshkuan” 1 900 kg kanabis, ndërsa mëngjesin e së hënës u nxorrën nga deti edhe 200 kg, përballë qytezës së Kampomarinos dhe 100 kg të tjera në zonën e Torre Fantine-s.
Sasia e stërmadhe e marijuanës ishte nisur nga zona e Durrësit në drejtim të Italisë. Trafikantët, kur e kuptuan sesa serioz dhe i mirëorganizuar ishte dispozitivi antidrogë detar dhe ajror i finacës italiane e hodhën në det ngarkesën duke shpëtuar veten nga arresti. Finacierët italianë u angazhuan në mbledhjen në det të pakove dhe çantave me marijuanë dhe nuk u morën me mjetin, që po trafikonte drogën për në Itali.
Financierët arrestuan edhe dy peshkatarë tunizianë 30 dhe 40 vjeç, që kishin nxjerrë nga deti një pako 4 kilogramëshe me kanabis dhe e kishin fshehur në hambarin e peshkatores së tyre. Dy tunizianët nuk kanë lidhje me trafikantët e sasisë prej mbi 2 tonësh të kanabisit. Thjesht, ata menduan të fitojnë një dorë parash qyl me kanabisin e gjetur.
Roja e Financës italiane nuk jep shpjegime se si ishte organizuar ky maksi-trafik droge nga Shqipëria për në Itali; kush ishte përfshirë në Shqipëri dhe kush ishte përfshirë në brigjet italiane, në organizimin e trafikimit të një sasie kaq të madhe kanabisi.
/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





