DURRËS, 6 TETOR 2014 – Dy javë më parë, teksa shpërthente skandali i përgjimeve të Shërbimit Informativ Shtetëror, botonim në Java fakte tronditëse, për survejimin që pretendohet se shërbimi i ka bërë figurave më të larta të shtetit, ose më saktë kryeministrit dhe kreut të Kuvendit. Nuk përjashtohet në këtë listë, deri atëhere të mjegullt e pa shumë detaje, edhe kryetari i sotëm i opozitës, Lulzim Basha.
Pas dy javësh panorama e skandalit paraqitet e zgjeruar me emra dhe rrethana të reja. Mediat njoftuan se Rama dhe Meta janë përgjuar në mënyrë të vazhdueshme nga pranvera e vitit 2013 dhe se në llogari të tre figurojnë qindra biseda të zbardhura në sirtarët e SHISH. Nga ana tjetër, gazetat dhe televizionet kanë hedhur gjithashtu aludime për lista të gjata emërore të deputetëve të së majtës (por edhe eksponentë të djathtë parlamentarë), të cilët mund të jenë përgjuar në mënyrë të rregullt nga shërbimi, në të njëjtën periudhë kohore. Madje gazetat kanë akuzuar kreun e shërbimit se e ka vazhduar këtë veprimtari deri ditën kur është thirrur në Kuvend, për të raportuar në komisionin e sigurisë.
Ka kohë që tema e përgjimeve ka hyrë në zhargonin e përditshëm të politikës shqiptare. Muaj më parë kanë dalë fakte konkrete rreth mënyrave të përgjimit që përdoreshin ndaj opozitës së majtë, gazetarëve dhe diplomatëve të huaj, gjatë dy viteve të fundit, si dhe për pajisjet që u blenë jashtë vendit përmes kanaleve të ministrisë së mbrojtjes, për këtë qëllim. Liberalizimi ligjor që shoqëroi procesin e përgjimit, duke ja dhënë këtë të drejtë disa agjencive shtetërore njëherësh, bëri që me këtë “sport” të merreshin, veç prokurorisë e shërbimit sekret, edhe autoritetet tatimore, drejtuesit e burgjeve apo ministria e financave apo e mbrojtjes.
Shpërthimi i këtij skandali shënon fundin logjik të asaj situate që u krijua dikur, e që sot, paradoksalisht, e majta në pushtet vijon të mos e korrigjojë nga ana ligjore. Gjithsesi, fakti që krerët politikë e institucionalë rezultojnë të përgjuar, është një ngjarje e skajshme dhe tronditëse. Po aq tronditëse është që vetë “viktimat” po heshtin, duke preferuar lëvizjet nën tryezë, më shumë sesa gjestet publike. Për momentin të gjithë i fshihen kësaj situate të sikletshme, duke përdorur si “gjethe fiku” diskrecionin dhe natyrën e rezervuar të informacioneve që rrethojnë hetimin parlamentar .
Megjithatë realiteti që mbështjell këtë skandal është tejet delikat dhe potencialisht me pasoja jo të vogla për stabilitetin e sigurinë kombëtare. Fshihen si të akuzuarit, ashtu edhe ata që duhet të ishin akuzuesit. Duket si ajo paqja e brishtë e Luftës së Ftohtë, ku palët masin forcat në distancë, pa bërë asnjë hap përpara. E megjithatë, për shqiptarët e thjeshtë, kjo gjuhë shenjash nga një llogore në tjetrën, është diçka e pakuptimtë. Kryeministri, kreu i Kuvendit dhe shefi i opozitës nuk mund të heshtin përball zhurmës jo të vogël mediatike që po rrethon këtë histori, ndërkohë që eksponentë të partive të tyre, kanë lënë të kuptohet se aludimet e shtypit nuk janë të pabaza. Rama dhe Meta figurojnë sot publikisht, si persona të përgjuar nga institucioni mbi të cilin kanë të drejta dhe tagër ligjor. Është krejt e paimagjinueshme që ata janë në listën e përgjimit të shërbimit. Në të njëjtën listë ku me ligj duhet të jenë kriminelët, terroristët dhe të gjithë ata që venë në rrezik sigurinë kombëtare të vendit. Kryeministri dhe kreu i Kuvendit duhet të sqarojnë raportin e tyre me SHISH, si një garanci e nevojshme ndaj opinionit publik, se institucionet e shtetit dhe paratë e taksapaguesve nuk janë përdorur për qëllime të mbrapshta të luftës politike.
/marrë nga gazeta“Dita”/





