5 tetor 2014 – Shi, kaos, flamuj të kuq dhe Lewis Hamilton fitues i një gare sa emocionuese aq edhe kaotike. Është ky verdikti i Cmimit të Madh të Japonisë, i nisur dhe i përfunduar pas Safety Car, me dy flamuj të kuq, i dyti prej të cilëve 7 xhiro para fundit, i ekspozuar pas aksidentit të rëndë të Jules Bianchi, Marussia e të cilit goditi vinçin që kishte hyrë në kufirin e pistës për të rikuperuar Sauberin e Adrian Sutil, i dha fund garës. Ambulanca në pistë dhe domosdoshmëria për t’i dhënë ndihmë pilotit francez, sollën ndalimin e garës. Gjendja e rëndë e pilotit u kuptua menjëherë me transferimin në spitalin më të afërt, duke qenë se nuk mund të përballonte udhëtimin me helikopter, Bianchi u transferua me ambulancën e shoqëruar nga policia.

Në atë moment me shiun që kishte penguar fillimin e garës, në krye ishte Lewis Hamilton, me një avantazh të konsiderueshëm ndaj Nico Rosberg dhe Sebastian Vettel. Piloti i ardhshëm i Ferrarit, autor i një garë mjaft të mirë që në një moment dukej se do ta projektonte edhe në vendin e dytë, pasi kishte vënë në shënjestër një Rosberg në formë mjaft të mirë, megjithëse më pas Vettel humbi 5 sekonda dhe çdo shpresë për të sulmuar Mercedesin. Ishte një tjetër garë e monopolizuar nga skuadra gjermane, me Hamilton që në fillimin e xhiros së 29-të la pas shokun e skuadrës me një parakalim të bukur në pjesën e jashtme të kthesës së parë duke u lëshuar drejt fitores. Vendi i katërt ishte për Daniel Ricciardon, ndërsa i pesti për Jenson Button.

Ishte një katastrofë dita e Ferrarit, me Fernando Alonson që u ndal në fillimin e xhiros së tretë, kur gara sapo kishte rifilluar pas Safety Car pas një ndërprerje të parë për shkak të rreshjeve të dendura të shiut. Në makinën e tij F14T u verifikua një problem elektrik, ndërsa ishte absolutisht anonime edhe gara e Kimi Raikkonen që e mbylli në vendin e 12-të.

Frikë për pilotin e Formula 1, Jules Bianchi. Mjekët kryen menjëherë një ndërhyrje kirurgjikale në kokë për të evituar hemoragjinë, ndërsa i ati i pilotit bën me dije se situata mbetet kritike. Pas ndërhyrjes, ai u transportua në repartin e terapisë intensivë në poliklinikën universitare të qytezës Mie. “Piloti nuk është në gjendje të vetëdijshme dhe u dërgua në spital me ambulancë pasi gjendja e tij nuk e lejonte transportimin me helikopter”, sqaroi përgjegjësi i zyrës së shtypit në FIA, Matteo Bonciani, duke lënë të kuptohet se gjendja e pilotit është shumë e vështirë. 

Gjithsesi, një grimcë optimizmi në këtë situatë mbetet fakti se 25-vjeçari ka marrë frymë vetë gjatë gjithë kohës deri në operacionin kirurgjikal. Sipas versionit zyrtar, makina e 25-vjeçarit është përplasur me një vinç që ndodhej në afërsi të pistës për të lëvizur Sauberin e Sutil. Marussia u dëmtua në pjesën e pasme, ndërsa sipas një fotografi të pranishëm në vendngjarje, forcat e sigurisë e nxorën nga makina në gjendje të pavetëdijshme. Menjëherë pas garës ka reaguar gjermani Nico Rosberg, i cili theksoi se e gjithë vëmendja e tij në këto momente shkon për Bianchin. Për legjendën, Niki Lauda ky ishte një aksident i pafat. Austriaku hoqi gjithë peshën e fajit nga drejtuesit e garës, duke theksuar se në ato momente nuk ishte e nevojshme që të hynte në pistë makina e sigurisë.