5 tetor 2014 –Tashmë është zyrtare, Sebastian Vettel nuk do të jetë më pilot i Red Bullit që nga 2015. Skuadra austriake ka bërë zyrtar lajmin në Suzuka, duke konfirmuar marrëveshjen me Daniil Kvyat, pilotin e ri rus, që aktualisht garon për Toro Rosson. Me gjermanin katër herë kampion bote, Ferrari do të zëvendësojë Fernando Alonson. Raikkonen do të jetë shoku i ri i skuadrës së Vettel, ndërsa Alonso pritet t’i bashkohet Mclaren-Honda. Mbyllet kështu një sezon shumë i keq i binomit fitues Vettel – Red Bull. Gjatë gjashtë sezoneve me skuadrën austriake Vettel ka fituar 39 cmime të mëdha, 65 podiume, 54 pole position dhe katër tituj botërorë. Më shumë se kaq nuk mund t’i kërkohej pilotit 27-vjecar.
Tashmë ka ardhur moment i lamtumirës, dhe në mënyrë surprizë, Red Bulli ka konfirmuar politikën e tij për të besuar te pilotët e ri. Po promovohet 20 – vjecari Daniil Kvyat, që këtë sezon garoi me Toro Rosson. Pikërisht sikurse ndodhi me Vettel në 2008, me një shkëndijë në cmimin e madh të Monzës. Piloti gjerman foli me shumë emocione për aventurën që e pret me kokëkuqen, duke këmbëngulur se vendimi erdhi pas rezultateve të dobëta me Red Bullin në sezonin e fundit.
“Është një zgjedhje e bërë me zemër, mezi pres ta nis aventurën me skuadrën time të re. Skuadra e re është italiane? Mund të them se jam ndjer mirë edhe kur garoja me Toro Rosson. Vendimi për t’u larguar nga Red Bulli nuk ishte i lehtë për t’u marrë, por nuk mund të vazhdonim më pas rezultateve të dobëta të sezonit të fundit. Kisha nevojë për një aventurë të re dhe të ndërroja ambient. E kam menduar gjatë.”





