DURRËS, 2 tetor 2014  –  Dita Ndërkombëtare e Jo dhunës dhe njëkohësisht datëlindja e Gandit, këtij predikuesi të paqes e të jodhunës kudo në botë.

Ai predikonte:

“Së pari ju injorojnë, pastaj ju përqeshin, pastaj luftojnë kundër jush, në fund fitoni”.
“Sy për sy e bën tërë botën të verbër”.

Mahatma Gandi ishte pionier i filozofisë së jodhunës. Sipas rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB nga 15 qershori 2007, në këtë ditë shpërndahet mesazhi i jodhunës, duke  inkuadruar edukimin dhe ngritjen e vetëdijes publike. 

Në këtë rezolutë riafirmohet “vlera universale e parimit të jodhunës” dhe dëshira për “riafirmimin e kulturës së paqes, tolerancës, mirëkuptimit dhe jodhunës”.

Gjithçka që ju nevojitet është vetëm vullneti i mirë. Duhet që edhe dhunës më ekstreme apo më barbare t’i pëgjigjemi me jodhunë.

Gandi doli superior me jodhunën si strategji kundër një shtypësi të fuqishëm dhe të dhunshëm. I thellë dhe i urtë, i guximshëm dhe rebelues – ky njeri i madh e shndërroi jetën e vet në një nga mesazhet më të fuqishme të cilat ky civilizim i ka parë deri më tani. Ai luftonte për njerëzimin, paqen dhe lirinë me çmimin e jetës së vet. Dhe – fitoi.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/