DURRËS, 1 tetor 2014 – Në kuadër të aktiviteteve të parashikuara gjatë vitit 2014, Drejtoria e Trashëgimisë Jomateriale dhe Rijetëzimit të Gjuhës Shqipe ka shpallur zhvillimin e konkursit "Narracioni i legjendave përmes novelave grafike". Ky aktivitet, i pari i llojit të tij në Shqipëri, do të zhvillohet në formën e konkursit, ku studentë, nxënës e artistë profesionistë e amatorë, do të paraqesin punimet e tyre në një ekspozitë me novela grafike shqiptare, tematika e të cilave do të bazohet tek trashëgimia kulturore jomateriale, si përrallat, gojëdhënat, legjendat, etj.
Ministria e Kulturës për këtë konkurs pohon se përveç novelave grafike klasike, në këtë ekspozitë do të përfshihen dhe legjendat bashkëkohore urbane. Fituesit e këtij konkursi do të shpallen nga një juri ndërkombëtare me tre anëtarë.
Qëllimi i aktivitetit është edukimi artistik dhe gjuhësor përmes vlerave të trashëgimisë kulturore materiale (konteksti) dhe jomateriale (shprehja), të aplikuara në gjininë e novelave grafike. Pas vlerësimit nga juria ndërkombëtare e përbërë nga personalitete të fushës, punimet e përzgjedhura do të botohen në katalogun e aktivitetit si dhe do të ekspozohen për publikun. Konkurruesit duhet të paraqesin në 3 fletë A4 punën e tyre.
/marrë nga infokult/





