DURRËS, 1 tetor 2014 – “Elbasan Arena” është thuajse gati. Punëtorët e impiantit modern që po ndërtohet në Elbasan kanë zbuluar pjesën më atraktive, fasadën. Në këtë të fundit bie në sy kombinimi i ngjyrave, me të cilën është bërë lyerja, teksa janë përdorur tre blutë, të cilat plotësojnë edhe dekorin me të cilin do të ndeshen fillimisht ata që do të vizitojnë këtë stadium. Janë gjithsej 64 dritare në këtë fasadë dhe pjesa tjetër është bërë me gips. Nëse fasada është tërësisht e përfunduar, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për ambientet e brendshme, të cilat duan edhe ato ndërhyrjet e fundit për të marrë përfundimisht “viston” për të qenë gati. Teksa janë shtruar me pllaka të gjitha zonat që janë programuar për të qenë të tilla, ende nuk ka përfunduar procesi i gipseve të tavanit, ku ka mbetur një përqindje e vogël e zonave pa u mbaruar, por, nga punëtorët që po punojnë pranë këtyre ambienteve, theksohet se brenda kësaj jave gjithçka do të dorëzohet. Kanë marrë një formë përfundimtare edhe ndarjet e dhomave dhe zyrave që do të jenë në këto ambiente, ku veçohen ato të gazetarëve si edhe të zonës VIP, në të cilat do të ketë sisteme për të naviguar në internet pa munguar edhe Wi-Fi në këto zona. Praktikisht puna është në “metrat” e fundit dhe pritet vetëm prerja e shiritit në stadiumin e rindërtuar. Problematika më e nxehtë e këtyre ditëve ka qenë fusha e gjelbër, e cila të krijonte përshtypjen se nuk ishte brenda parametrave të duhura, të paktën nga ngjyra që kishte marrë. Mirëpo, puna e mirë e bërë gjatë kësaj periudhe, kur edhe u mboll një farë e re bari, e cila më së shumti shërben për të dhënë një dekor sa më të mirë, tapeti ka marrë ngjyrën e vërtetë (të gjelbrën). Kjo ka bërë që edhe ky defekt i impiantit të riparohet dhe të duket gjithçka gati. Faktikisht, përpara disa ditësh nga Anglia erdhën edhe tri makineri të posaçme që shërbejnë vetëm për të mirëmbajtur terrenin e “Elbasan Arena”-s. Nuk janë vendosur ende te portat në të cilat do të hyjnë tifozëritë respektive sistemet e sigurisë, përpara se një tifoz të hyjë në shkallët e stadiumit. Bëhet fjalë për vendin ku do të bëhet “check-in” i biletës, me të cilën vetëm një person mund të hyjë me një biletë, jo siç ndodh rëndom në stadiumet shqiptare, ku edhe hyhet në disa raste edhe pa bileta. Për sa i përket sigurisë, janë vendosur edhe kamerat rreth e përqark perimetrit të stadiumit, në të cilat do të survejohet edhe i gjithë ambienti i këtij impianti, tanimë i asfaltuar dhe ndriçuar. Pritet që të fillojë edhe ndarja në stadium, e cila nuk është bërë ende.
Inaugurimi Federata nuk e ka luksin që në takimin e parë hapës të luajë Kombëtarja me Danimarkën, pa bërë më parë një provë. Ndaj, për këtë arsye, është vendosur që të zhvillohet një takim miqësor, ku me shumë gjasa stadiumi do të inaugurohet nga femrat ku do të luajë Elbasani me Apoloninë për vajza. Një mundësi tjetër është që të shtyhet për në mesjavë ndeshja e futbollit të meshkujve mes Elbasanit dhe Apolonisë, e programuar për në fundjavë, që të luajnë në “Elbasan Arena”. Megjithatë, nga zyrtarë pranë stadiumit theksohet se Elbasani nuk do të luajë dot në këtë impiant përpara Kombëtares, por, nga ana tjetër, pohohet një takim miqësor paraprak për të bërë edhe provën përpara sfidës së kuqezinjve të De Biazit me Danimarkën më 11 tetor. Ndërkohë, mësohet se fillimisht do të testohen pjesët teknike, duke filluar nga sistemi i ndriçimit, tapeti dhe pjesa e sigurisë. Gjatë ditëve të ardhshme në Elbasan do të mbërrijnë ndoshta për herë të fundit edhe inspektorët e UEFA-s, të cilët do të japin OK-in përfundimtar, edhe pse është e sigurt se impianti do të jetë gati, duke plotësuar kështu çdo kriter të qeverisë së futbollit.