DURRËS, 1  tetor 2014 Fiskultura meriton të njëjtën vëmendje dhe rëndësi po aq sa matematika e gjuha shqipe.

Tashmë dhe mësuesit e edukimit fizik do të kenë të njëjtën peshë si mësuesit e matematikës, fizikës, gjuhës shqipe etj. Kjo lëndë do të zhvillohet 3 herë në javë.

Të martën u bë prezantimi dhe njohja me programin dhe platformën e re që do të zbatohet në institucionet tona arsimore përsa i takon lëndës së edukimit  fizik.  Ky ishte qëllimi i takimit  të zhvilluar në mjediset e Qendrës Kulturore të Fëmijëve me mësues të edukimit fizik të qarkut Durrës.  I pranishëm në këtë takim ishte vetë  zv/ ministri i Arsimit dhe Sportit  z.Rauf Dimraj, i cili u shpreh lidhur me reformën e ndërmarrë në edukimin  fizik për  t’i dhënë  këtij të fundit dhe  sportit vendin e merituar.
Duhet të ngrihen ekipe basketbolli dhe volejbolli pranë shkollave të cilat do të funksionojnë pasdite. Për mësuesit e edukimit fizik parashikohen ditë të mbushura me aktivitete. Ndoshta kjo do t’i zgjojë nga gjumi dhe do t’i shkundë nga letargjia mësueset e reja që tunden mbi taka.Sporti është disiplinë dhe të parët që duhet ta zbatojnë janë mësuesit e edukimit fizik.
Më pas drejtoresha e arsimit në Durrës, zj. Lindita Mukaj theksoi se në implementimin dhe zbatimin e ndryshimeve të bëra në programin e  edukimit  fizik, edhe drejtoritë arsimore në rrethe kanë luajtur një rol tepër  aktiv, pavarësisht se mësues nga shkolla të Durrësit u ankuan dhe renditën probleme bazike si mungesa e palestrave, e dhomave të zhveshjeve, e topave të basketbollit e volejbollit etj.

Përfaqësuesit e Ministrisë  u shprehën se mësimi i fiskulturës do të realizohej sipas programit të ri të Ministrisë. Ndër udhëzimet e përmendura, përveç paraqitjes me uniformë (një fenomen i rrallë për mësuesit e  fiskulturës këto vitet e fundit), gjithashtu ata duhet të jenë aktivë në orën mësimore duke demonstruar vetë paraprakisht çdo ushtrim fizik. Për më tepër dhe mësuesit e ciklit të ulët, gjatë orës së edukimit fizik duhet të jenë të veshur me uniformë sportive.

Roland  Çerepi, njëri prej anëtarëve të grupit të punës në hartimin dhe zbatimin e programit te ri u  shpreh se takimi në Durrës po zhvillohej në vazhdën e një sërë takimesh të ngjashme  në  qytete të tjera si Tiranë, Elbasan, Shkodër, Korçë  etj.

Për ta mbyllur pozitivisht s’mund të lëmë pa përmendur kontributin e mësuesve të pasionuar. Po sa të tillë kanë mbetur akoma?!