Durrës, 30 shtator 2014 – Teuta dhe shkolla e Mjeshtërisë Sportive e Durrësit kanë dominuar krosin kombëtar të atletikës ku për të reja u shpall fituese Teuta ndërsa për të rinj Mjeshtëria Sportive ndërkohë që Teuta fitoi edhe në renditjen ekipore për të rritura.
Federata Shqiptare e Atletikës e zhvilloi Krosin Kombëtar në Kodrat e Liqenit në vazhdim të projekt-kalendarit të 2014-2015-s. Në epilogun e garës kombëtare për të reja në 4 km, kampione u shpall Relaksa Dauti e Tiranës me kohën 15’58″; për të rinj në 6 km vendin e parë e zuri Marko Makaj, atleti i Mjeshtërisë Sportive Durrës, i cili regjistroi kohën 20’22″; për të rritura, e para u klasifikua Bruxhilda Qosja e Tiranës por Teuta zuri vendin e parë në rang ekipor, ndërsa për të rritur kampion u kurorëzua atleti i Skënderbeut, Ilir Këllezi. I zgjedhur edhe si sportisti më i mirë i aktivitetit, specialisti në vend i distancave të gjata regjistroi në finishin e 10 km kohën 33’15″.
Në rang ekipor, vendi i parë i takoi gjithashtu skuadrës së Skënderbeut me 15 pikë të grumbulluara. Ndërkohë në shpalljen e kalendarit të Federatës Ballkanike të Atletikës për vitin 2015, mes 11 garave të planifikuara, Shqipëria nuk është pritëse në asnjërën prej tyre e kushtëzuar nga financat e pamjaftueshme. Sezoni nis me kampionatin ballkanik të sallave të mbyllura më 21 shkurt në Stamboll dhe ul siparin me edicionin e 5-të Gala të atletikës në fund të nëntorit në Tbilis të Gjeorgjisë.
REZULTATET
TË REJA, 4 km
Relaksa Dauti (Tirana) 15’58″
Renditja ekipore: Teuta 14 pikë
TË RINJ, 6 km
Marko Makaj (Mjeshtëria Sportive Durrës) 20’22″
Renditja ekipore: Mjeshtëria Sportive Durrës 10 pikë
TË RRITURA, 8 km
Bruxhilda Qosja (Tirana) 34’00″
Renditja ekipore: Teuta 11 pikë
TË RRITUR, 10 KM
Ilir Këllezi (Skënderbeu) 33’15″
Renditja ekipore: Skënderbeu 15 pikë





