DURRËS, 30 shtator 2014 –  Jo vetëm për shkak mbingarkesës demografike, por edhe se në qarkun bregdetar kryqëzohen boshte rrugore të rëndësishme kombëtare dhe rajonale, ka dhe një numër të lartë aksidentesh automobilistike me të vdekur dhe të plagosur, prandaj dhe uniformat blu po i kushtojnë rëndësi të madhe punës parandaluese; vetëm të premten dhe të dielën janë arrestuar 4 shtetas dhe një 2 të tjerë ndiqen penalisht në gjendje të lirë.

Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë njoftoi se të dielën, më 28 shtator 2014, u arrestua në flagrancë E. R., 20 vjeç, banues në Durrës, i cili rreth orës 17.20, në lagjen nr. 16 po drejtonte motoçikletën  Yamaha me targa DR428B, pa qenë i pajisur me leje drejtimi.

Kurse të premten, më 26 shtator 2014, u prangosën S. A., 46 vjeç, banues në fshatin Bërxull Tiranë, i cili në orën 13.50, në lagjen nr. 14 Shkozet, u kap duke ngarë i bërë xurxull një  IFA me targa AA053 GX; Sh. H., 19 vjeç, banues në fshatin Kullë të bashkisë së Sukthit, rreth orës 21.00 po drejtonte një  Volkswagen Golf 3, pa patentë; G. K. 38 vjeç, banues në fshatin Fllakë të komunës së Katundit të Ri, me një  Benz pa targa, pa leje drejtimi dhe pa dokumentacion.

Po më 26 shtator 2014 filluan dy procedime penale në gjendje të lirë: për M. Z., 16 vjeç, banues në Shijak, sepse rreth orës 12.00 u kap me  Benz-in me targa AA 232 DI pa leje drejtimi;  dhe E. B., 24 vjeç, banues në Durrës, pasi rreth orës 02.00, në unazën e plazhit po ngiste  Renault-në me targa AA093KB pa leje drejtimi.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/