· Genc Balla e Eduart Bejko të Inspektoratit rajonal të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave u kapën në flagrancë duke i marrë 200 mijë lekë administratorit të shoqërisë Dawa International Trade shpk në Xhafzotaj
· Në pranga dhe ndërmjetësja, eksperte kontabël Dorianë Nikolla, e punësuar pranë kompanisë
DURRËS, 30 shtator 2014 – Në Xhafzotaj janë 11 firma shqiptare dhe të huaja që kanë marrë leje mjedisi, por kryeinspektori rajonal Genc Balla vete edhe e “kruan” me përfaqësuesit e shtetit me popullsi më të madhe në botë, Kinës (kishte harruar sharjen e famshme shqiptare), që u ka bërë presion për ryshfet dhe aziatikët ia “kënduan”, duke çuar në qeli!
DREJTORIA E POLICISË, 30 SHTATOR 2014:
Më datë 29 shtator 2014, në bashkëpunim me sektorin për korrupsionin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u bë arrestimi në flagrancë i Genc Ballës, 38 vjeç, banues në Durrës, kreu rajonal i Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave Durrës; Eduart Bejkos, 45 vjeç, banues në Sukth Durrës, inspektor; Dorianë Nikollës, 37 vjeçe, banuese në Durrës, ekonomiste në një subjekt privat [firma kineze Dawa International Trade – “Dyrrah”-u] në Xhafzotaj Durrës.
Arrestimi u bë në funksion të procedimit penal të prokurorisë Durrës të vitit 2014, pasi Genc Balla e Eduart Bejko u kapën në flagrancë duke i marrë një sasi prej 200 mijë lekë administratorit të subjektit privat në Xhafzotaj.
Ky subjekt është i fushës së riciklimit të mbetjeve dhe i bëhej presion për t’i krijuar favore në lidhje me dhënien e lejes mjedisore.
Vazhdojnë hetimet për implikimin e personave të tjerë në këtë aktivitet të paligjshëm.
PROKURORIA, 29 SHTATOR 2014
Ndonëse prokuroria thotë se kreu i Inspektoratit të Mjedisit në Durrës dhe një vartës i tij kishin ngritur një skemë korruptuese, duke përfituar “pagesë mujore” nga një shtetas i huaj, “Dyrrah”-u bëri verifikimet përkatëse dhe doli se firma e huaj është shoqëria kineze Dawa International Trade shpk, ku tre ortakë aziatikë kanë 85 për qind të aksioneve dhe një shqiptar ka15 për qind, ky subjekt me përfaqësues ligjor z. Xi Wang, ka marrë leje mjedisore për përpunim mbetjesh plastike.
Kryeinspektori Genc Balla dhe vartësi i tij Eduart Bejko, u arrestuan në flagrancë mbrëmjen e 29 shtatorit 2014 duke marrë shumën e 200 mijë lekëve nga ekspertja kontabël Dorianë Nikolla, e punësuar pranë kompanisë që i kërkohej përfitimi mujor.
Përfaqësuesi ligjor i Dawa International Trade shpk z. Xi Wang i është drejtuar prokurorisë në korrik 2014, ku ka kallëzuar trysnitë e inspektorit të mjedisit dhe shefit të tij, të cilët i kërkonin 100 deri në 200 mijë lekë në muaj në këmbim të lejimit të ushtrimit të aktivitetit.
“Nga hetimi ka rezultuar se zyrtarët e Inspektoratit të Mjedisit kërkonin dhe kanë marrë në mënyrë korruptuese prej këtij subjekti 100 000 lekë në muaj, për disa muaj rresht. Hetimi është regjistruar në bazë të kallëzimit të administratorit të kompanisë private në korrik 2014”, – thotë prokuroria.
Ai ka deklaruar se e ushtron këtë aktivitet që prej dy vjetësh, por në datën 30 maj të këtij viti, në mjediset e kompanisë së tij është paraqitur një shtetas që më vonë është prezantuar si shefi i Inspektoratit të Mjedisit të Rrethit Durrës, i quajtur Eduart Bejko.
“Pas debateve është prezantuar për pozicionin e punës që ka dhe më pas ka dërguar disa inspektorë të tjerë për të ushtruar kontroll, të cilët kanë kërkuar lejen për ushtrimin e aktivitetit. Duke pretenduar se kishte shkelje, ata kanë filluar që të shkruajnë diçka që kishte bënte me një gjobë që, sipas tyre ishte në vlerën 5 milionë deri në 10 milionë lekë. Pas ndërhyrjes së shtetases me emrin Dorianë Nikolla, e cila kryen dhe detyrën e ekonomistes, me qëllim që të mos vihej gjobë, është kërkuar dhe dhënë si përfitim i paligjshëm një shumë prej 200 mijë lekësh”, thotë organi i akuzës.
Pas marrjes së kallëzimit, prokuroria ka urdhëruar përgjimin e bisedave telefonike të numrave të telefonit dhe vëzhgimin në ambientet publike.
“Më datë 25 korrik 2014, rreth orës 19:25, administratori i kompanisë private, pasi ka tërhequr nga një bankë e nivelit të dytë një shumë prej 100 mijë lekësh, është nisur në drejtim të zyrës së kontabilitetit në posedim të shtetases Dorianë Nikolla, ku në prani të saj i janë dorëzuar shtetasit Eduart Bejko. Pasi ka marrë shumën, ai është takuar me kryeinspektorin, Genc Balla, në një lokal”, – shkruan prokurori.
E njëjta skemë u përdor edhe mbrëmjen e së hënës, 29 shtator 2014, kur ishte caktuar të paguhej një shumë prej 200 mijë lekësh ndaj shtetasit Eduart Bejko, i cili, sipas prokurorisë, këto para i kishte kërkuar si përfitim të paligjshëm për drejtorin.
Sapo janë dorëzuar paratë ka ndërhyrë policia, e cila ka kryer arrestimin e të dyshuarve.
Info 1. Firmat në Xhafzotaj, të pajisura me leje mjedisi
1. OLIM Fabrikë vaji
2. Global Sistem Riciklim vajrash
3. Alex-Profil Prodhim i profileve metalike
4. Izopack Prodhim polisteroli
5. Dawa International Trade Mbetje plastike
6. Confort Tuba plastike
7. Scholz Grumbullim, përpunim mbetjesh; Impiant për riciklimin e metalit për skrap, grumbullim, transportim, ruajtje, riciklim, përpunim, asgjësim mbetjesh të ndryshme
8. Geris Prodhim kartë-pecetash
9. Rametal Grumbullim, përpunim mbetjesh
10. VARAKU E Impiant për prodhimin e asfaltit dhe betonit
11. DEKOLL Impiant për material lidhës, llaç dhe bojëra për industrinë e ndërtimit
Info 2. DAWA INTERNATIONAL TRADE shpk
Adresa: Xhafzotaj, Durrës, godinë trekatëshe, pranë AG.Motors.
Përfaqësuesi ligjor: Xi Wang (10.10.2011-10.10.2016).
Ortakët: Xi Wang (15 për qind të aksioneve); Donghua Xiang (40 për qind); Eduart Ramaj (15 për qind); Wangli Cheng (30 për qind).
Objekti i biznesit:
Tregti eksport-import me shumicë e pakicë industriale, ushqimore, bujqësore, blegtorale, elektro-shtëpiake, hidro-sanitare, konfeksione, materiale ndërtimi, pjesë këmbimi, artikuj kozmetikë, riciklim të artikujve plastikë, mbeturinave, etj. Tregti e lëndëve të para e mineraleve dhe makinerive për industrinë e lehtë e ushqimore. Tregti të mineraleve si kuarc, krom, bakër, nikel etj. Transport kombëtar dhe ndërkombëtar, në mënyrë tokësore dhe detare, edhe për të tretë. Agjenci turistike “Tour Operator”. Agjenci për shitje dhe blerje pasuri të paluajtshme si troje, dyqane, apartamente etj, agjenci shitje biletash, shërbime tregtare, komisioner.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





