Itali, 27 shtator 2014 – Fatkeqësisht nuk përbën lajm më rrahja apo edhe vrasja e grave nga meshkujt shqiptarë emigrantë në Itali. Më së paku një herë në javë në kronikën e zezë të mediave italiane do kesh për personazhe shqiptarë, që me dajak apo me thika u vërsulen femrave (gra, të dashura, motra, nëna apo vajza të tyre).

Rasti më i fundit është ai i Elentin Hoxhës, 32 vjec banues në qytezën e Bresanvidos në Provincën e Vincencës. Ai rezulton i papunë, por me dokumente të rregullta qëndrimi në Itali. Elentini ka goditur disa herë me thikë të dashurën italiane 32 vjecare në ambjentet e klubit të natës “Le cattvive streghe”.

 Karabinierët e kanë arrestuar në flagrancë dhe akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë në rrethana rënduese. Elentini po kalonte uikendin me të dashurën, por u bë xheloz dhe tentoi ta vriste (katër plagë në gjymtyrë, bark dhe gjoks). Italiania përfundoi në spital e plagosur rëndë, por jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Elentini u dërgua në burgun e Vincencës.

(Gje.Tha. / Agjencia e Lajmeve Dyrrah)