Tiranë, 27 shtator 2014 – Ka nisur sot nën tingujt e Himnit Kombëtar, Kuvendi i Partisë Demokratike ku marrin pjesë 7500 delegatë, të cilët përfaqësojnë 101 mijë anëtarë të partisë më të madhe opozitare në vend.
Ka qënë kryetari Lulzim Basha ai që ka përshëndetur i pari hapjen e punimeve dyditore të Kuvendit të PD-së. Në fjalën e tij, Basha është shprehur se ky është Kuvendi i bashkimit dhe ripërtëritjes. Ai tha se e ka marrë drejtimin e partisë në një kohë të vështirë për të, por është i vendosur që së bashku me anëtarët e saj të shkruaj një histori suksesi.
“Ky është Kuvendi më demokratik dhe më i madh i kombit tonë. Kuvendi i bashkimit ripërtëritjes dhe nisjes së re. Partia Demokratike janë anëtarët, është kryesia. Këtu jemi të gjithë aksionerë të barabartë. Në këtë shtëpi politike na mban të bashkuar dashuria për Shqipërinë dhe vlerat tona për BE. E mora stafetën në kohë të vështira por jam i vendosur që bashkë me ju të shkruajmë një histroi suksesi për të mirën e Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve. Objektivi ynë është të jemi parti e parë, parti fituese. U ringritëm nga humbja duke menduar, debatuar, diskutuar, duke vënë gishtin tek mangësitë duke u përballur me qeverinë më antidemokratike”, tha Basha.
Basha u ka kërkuar falje demokratëve për ato mangësi dhe gabime që janë bërë ndaj tyre gjatë kohës kur PD qeveriste vendin, duke garantuar korrigjimin e tyre.
“Kur njerëzit trokisnin për halle disa prej nesh mbanin sehir nga xhamat e zyrave dhe makinave. Këtu nuk është fjala vetëm për distance fizike. Të zgjedhurit duhet të kuptojnë hallet e shoqërisë. Performanca e dobët e disa zyrtarëve në rrethe e qarqeve, kthimi i pronave dhe legalizimeve nuk ruajti formën e duhur, pati mitmarrje e korrupsion, larg kostumit tonë politik. Fushata ju foli masave më shumë se sa individëve, kandidatët tanë nuk dolën derë më derë. Për të gjitha këto dhe çdo mangësi unë ju kërkoj ndjesë nga kjo tribunë me përulje anëtarëve të PD, qytetarëve të PD që janë ndjerë të braktisur. Ju garantoj vendosmëri dhe korrigjim në dritën e analizave të mangësive dhe gabimeve tona” deklaroi Basha.
Kryetari i PD-së, duke konfirmuar edhe një herë tjetër bojkotin ndaj parlamentit, ka thënë se qeveria nuk pranoj debatin por zgjodhi rrugën e kanosjes.
“Parlamenti duhet të jetë aula e bashkëjetesës, tribunë e debatit mes palëve. Nuk jemi ne që kemi dashur të debatojmë por ata nuk pranojnë debat dhe zgjodhën rrugën e kanosjes, me anë të një grupi kriminel deputetësh”, u shpreh ai





