– Vetëm të premten, më 26 shtator 2014, në monumentet dhe shtëpinë muze “Aleksandër Moisiu” të saporikonstruktuar ishin mbi njëmijë udhëtarë të dy kroçierave luksoze
DURRËS, 27 shtator 2014 – Futja e Durrësit në agjendat e shoqërive më të mëdha të lundrimeve me anije luksoze, po ndikon dhe në zgjatjen e stinës turistike në vjeshtë dhe dimër, gjë që do të thotë një veprimtari gjithëvjetore, e “transferuar” në vizitat në objektet dhe monumentet kulturore, historike dhe urbanistike të Durrësit.
Pasi kanë udhëtuar tërë natën në detin me dallgë, në mëngjesin me shi të së premtes, 26 korrik 2014, dy anije turistike luksoze (Ocean Majesty dhe Prinsendam) kanë zbarkuar në portin e Durrësit 1 169 turistë nga vende të ndryshme të botës.
Të ndarë në grupe të shumta, këta udhëtarë vizituan dhe monumentet e kulturës së Durrësit për t’u njohur me historinë e tij.
Një nga ndalesat e tyre është dhe muzeu dhe banesa “Aleksandër Moisiu”, e cila sapo iu nënshtrua disa punimeve për mirëmbajtjen e saj.
Gjatë shtatorit portin e Durrësit e kanë prekur 6 kroçiera, ndërsa të dielën, 28 shtator 2014, bregëzohet kruizeri Seven Seas Mariner.
Po ashtu në muzeun arkeologjik po vazhdojnë me intensitet të lartë punimet për sistemin e oborrit në prag të hapjes së tij pas rikonstruksionit (në foto poshtë).
Në muzeun arkeologjik të Durrësit, më 23 shtator 2014 erdhi për vizitë dhe delegacioni bashkisë së Selanikut dhe kreu i saj, z. Jani Butari (në foto poshtë).
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





