23 shtator 2014 – Një kandidat nga Izraeli i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit Edi Rama se mbështet kandidaturën e një Guvernatori të huaj në Bankën e Shqipërisë. Po flasim për David Kantozin, një hebre i lindur në Shqipëri, por që aktualisht punon e jeton në Izrael ka treguar se ka aplikuar për këtë post dhe se do ishte mjaft krenar të merrte kreun e Bankës së Shqipërisë.
Kantozi është ekspert financash në Izrael dhe punon si zv/menaxher në ‘Izrael Financial Service’.
Në lidhje me skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Thesarin e Shtetit, ai tha se në çdo vend të botës përgjegjësia bie mbi drejtuesit.
“Ne i ndjekim ngjarjet politike dhe ekonomike nga Shqipëria, për rastin në fjalë jemi të befasuar. Sistemi bankar nuk varet nga një individ por është një punë kolektive. Përgjegjësia është e atyre që e drejtojnë, është kollaj ta shohësh në rangjet e ulëta, në çdo vend të botës ku ndodh ka zhurmë në tregun financiar dhe në media. Përgjegjësinë nuk dua t’ia hedh askujt se jam larg”, tha ai.
Kantozi shprehet se ka disa arsye të cilat e nxitën për të aplikuar.
“Ka disa arsye, është nder dhe krenari nëse arrij ta bëj këtë gjë. E kam nisur karrierën time në Bankën e Shtetit në vitin 1988, e kam pasion dhe dëshirë, me gjithë eksperiencën që kam në 25 vite të arrij të kontribuoj për vendin tim. Duhet t’i paguajmë Shqipërisë atë që na dha për ta bërë ashtu siç e meriton. Kam mbaruar Fakultetin e Ekonomisë në vitin 1986 në sferën e qarkullimit. Shqipëria është një terren shumë i mirë për të punuar. Mund ta nderosh, të japësh eksperiencat e tua”, shprehet ai.
Kantozi siguroi më tej se i plotëson kushtet për të qenë Guvernator, pasi krahas shtetësisë izraelite ai ruan edhe atë shqiptare.





