DURRËS, 22 shtator 2014 –  Në kushtet e gatishmërisë së lartë për të siguruar vizitën e Papës së Romës, blutë e Durrësit kapën, të shtunën e kaluar, dy të kërkuar, një kuksian për plagosje të rëndë dhe një kosovar për dokumente false, i kapur vitin e kaluar në terminalin e trageteve.

Drejtoria e policisë së shtetit të qarkut të Durrësit bën të ditur se të shtunën, më 20 shtator 2014, u ndalua i kërkuari Selanik Hoti, 20 vjeç, banues në Krumë, Kukës. Gjykata e Rrethit Durrës, më 17 shtator 2014 ka vendosur masën e sigurimit të arrestit në burg për plagosje të rëndë me dashje; u shpall në kërkim më 13 shtator 2014.

Po më 20 shtator 2014, u ndalua Fatos Elezaj, 35 vjeç, banues në Pejë Kosovë. Gjykata e Rrethit Durrës, me vendim datë 26 nëntor 2013 ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë e arrestit në burg në mungesë për falsifikim letërnjoftimesh, pasaportash apo vizash.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/