21 shtator 2014 – Pesë ndeshje, vetëm katër pikë. Nisje mjaftë e dobët në kampionat e Teutës krahasuar me sezonin e shkuar, ku “djemtë e detit’ në këtë fazë kishin grumbulluar plotë 11 pikë, ndërkohë që duhet theksuar se  nuk kishin luajtur asnjë përballje në “Niko Dovana”, për shkak se stadiumi ishte në rikostruksion e sipër.

Nga një Teutë pretendente, në një skuadër që aktualisht futet tek skuadrat që luftojnë për mbijetesë. Megjithatë Teuta në këtë u penalizua edhe nga gjykimi jo korrekt i ndeshjes. Gjykimi i Remzi Sadikut nuk ishte në nivelin e duhur, pasi në takimin Partizani-Teuta pati disa momente të diskutueshme. Në minutën e 19-të, Nika brenda zonës bie në fushë, pas ndërhyrjes së Vrapit, gjyqtari vijon lojën, ndonëse miqtë pretendojnë për penallti. Nga përsëritjet televizive rezultoi se goli i dytë i të kuqve ishte në pozicion jo të rregullt, pasi pasimi i Raçiç e gjeti më të avancuar Fazliun.

Në minutën e 63- të ka një dyluftim mes Magalhaes dhe Vrapit. Mbrojtësi i të kuqve, me zgjatjen e këmbës, largon topin, por sulmuesi gjatë kontaktit bie në zonë, por gjyqtari vijon lojën, pasi Vrapi më parë kishte larguar topin. Gjithashtu në dy raste gjyqtari Sadiku ndërpreu lojën, pasi tifozëritë respektive ofendonin njëra-tjetrën. Tashmë Teuta do të nisë përgatitjet për sfidën me Skënderbeun, e cila do të zhvillohet në fundjavë në stadiumin “Niko Dovana”. Durrsakët shprehen se do të bëjnë autokritikë, por korçarët janë një skuadër e vështirë për t’u mposhtur. Megjithatë, Teuta i ka të gjitha mundësitë për ta kthyer gjithçka në favorin e saj dhe për të arritur objektivat e skuadrës. 

/Agjencia e Lajmeve Dyrrah/