DURRËS, 22 shtator 2014 –   Zbulohet identiteti i një “xhenieri” krutan, që natën e së premtes tronditi me lëndë plasëse banorët e fshatit Larushk.

Drejtoria e policisë së shtetit të qarkut të Durrësit bën të ditur se, si rezultat i punës hetimore që strukturat policore të Krujës ndërmorën në drejtim të zbardhjes së ngjarjes së ndodhur më datë 19 shtator 2014, ku u dëmtua me lëndë plasëse një dyqan në fshatin Larushk të Krujës, u arrit të identifikohet, shpallet në kërkim e aktualisht po vijon puna për kapjen e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje.

Shtetasi në fjalë, identiteti i të cilit nuk do të bëhet ende publik në këtë fazë të hetimit, dyshohet se rreth orës 2.55, pas mesit të natës në fshatin Larushk, ka vendosur lëndë plasëse, e cila ka dëmtuar qepenin dhe thyer xhamat e fasadës së dyqanit në pronësi të 26-vjeçarit A. Q.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/