DURRËS, 22 shtator 2014 – E çfarë nuk ndodhin në rrugët e Durrësit: mëson guidë me autoshkollë dhe të godasin nga pas; kalon në rrugë dhe të aksidentojnë; humbet kontrollin mbi automjetin dhe plagos tre udhëtarët e tu; nget makinën i papajisur me patentë ose i dehur.
Goditet autoshkolla
Drejtoria e policisë së shtetit të qarkut të Durrësit bën të ditur se të premten e kaluar, më 19 shtator 2014 filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj A. P., 55 vjeç, banues në Elbasan, sepse rreth orës 10.10, në autostradën Tiranë-Durrës, pikërisht në Maminas, duke një Benz furgon me targa TR 6228T, ka goditur nga pas automjetin autoshkollë me targa AA133BT, drejtuar nga A. B., 22 vjeçe, banuese në Xhafzotaj. Për pasojë u dëmtua lehtë instruktori i autoshkollës, R. L., 59 vjeç, banues në Durrës.
Benz-i aksidenton 65-vjeçaren
Të premten e kaluar, më 19 shtator 2014, filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj R. T., 34 vjeç, banues në Durrës, sepse rreth orës 11.10, në lagjen nr. 16 Durrës, duke drejtuar një Benz me targa AA131FJ, ka aksidentuar këmbësoren M. Ç., 65 vjeçe, banuese në Durrës, e cila ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Humbet kontrollin dhe plagos tre udhëtarët e vet
Të dielën më 21 shator 2014 filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit E. B., 34 vjeç, banues në Tiranë, sepse rreth orës 16.00, në segmentin rrugor Laç – Fushë-Krujë, duke drejtuar një Benz, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe është përplasur me bordurën anësore të rrugës. Si pasojë janë aksidentuar pasagjerët që ndodheshin në mjet, A. B., 27 vjeçe; H. B., 60 vjeç, Tiranë; N. B., 56 vjeçe, të tre banues në Tiranë, të cilët ndodhen në Spitalin Ushtarak jashtë rrezikut për jetën
Pa patentë dhe “tapë”
Lidhur me rastet e drejtimit të mjetit në kundërshtim me dispozitat e parashikuara, të shtunën më 20 shtator 2014 u arrestuan në flagrancë dy veta: Julian Ismailaj, 33 vjeç, banues në Durrës, sepse rreth orës 17.00, në Durrës, u kap duke drejtuar një Renault me targa AA191DI pa qenë i pajisur me leje drejtimi dhe Jani Shuteriqi, 39 vjeç, banues në Elbasan, sepse rreth orës 17.00, në Durrës, u kap duke drejtuar në gjendje të pirë një Golfme targa AA983EC.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





