DURRËS, 22 shtator 2014 – Në kushtet kur kontrolli në pikën e kalimit kufitar është super i përforcuar, të dielën, kur ende nuk ishte larguar nga Tirana Papa Françesku, dy kosovarë dhe një lezhjan orvateshin të shkonin me traget në Itali me pasaporta false.
Drejtoria e policisë së shtetit të qarkut të Durrësit bën të ditur se të dielën, më 21shtator 2014 u arrestuan në flagrancë Albert, 29 vjeç, dhe Visar Bytyçi, 19 vjeç, banues në Shkozë, Malishevë, Kosovë.
Të dy Bytyçët, më datë 21.09.2014, rreth orës 18.30, u kapën nga kontrollorët e Pikës së Kalimit Kufitar Port Durrës në terminalin e trageteve, i pari me një pasaportë kosovare dhe një kartë identiteti çeke, nga të cilat karta e identitetit dyshohet të jetë tërësisht e falsifikuar; kurse i dyti me një pasaportë kosovare dhe një kartë identiteti sllovene, nga të cilat karta e identitetit dyshohet të jetë tërësisht e falsifikuar.
Po më 21 shtator 2014, filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj A. P., 32 vjeç, banues në Zejmen Lezhë, pasi të shtunën, më 20 shator 2014, ora 22:00, u kap në terminalin e targeteve, me një pasaportë shqiptare, për të cilën dyshohet se e përdorte duke shfrytëzuar ngjashmërinë fizike.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





