–       Ja pse kreu “taze” i selisë lokale blu përhap përrallën e një “gracke të Dakos” për dosjen e shatërvanit

–       Kreut të selisë blu i kërkohet llogari pse ka penguar dorëzimin zyrtarisht në Ministrinë e Kulturës dhe bashkinë e Durrësit të peticionit me 6 mijë firma

 

DURRËS, 22 shkurt 2014 – Kryetari i ri i degës së PD-së “hap barkun” para njerëzve të kryebashkiakut të Durrësit, duke dëshmuar për një “flirt” të detyruar Osman Stafa-Vangjush Dako.

Kreu “taze” i selisë lokale blu përhap përrallën e një “gracke të Dakos” për dosjen e shatërvanit, që u intereson, si shefit të opozitës durrsake për të goditur kundërshtarët e vet si dhe për t’u justifikuar para SHQUP-it për disfatën potenciale në zgjedhjet e 2015-ës, ashtu dhe qytetarit nr. 1 të Durrësit për të përligjur “humbjen e betejës” për shatërvanin.

 AKUZA: Z. MUKA NJERI I DAKOS

Në një media afër kryebashkiakut Dako, kryetari i degës së PD-së, z. Osman Stafa ka sulmuar ish-rivalin e tij, duke bërë diversionin se z. Dako

“thërriti nën armë Ardian Mukën dhe i kujtoi se ai kishte qenë kundër heqjes së shatërvanit, ndaj dhe duhej të bëhej i gjallë. E bëri thjeshtë këtë gjë, pa bujë. E bëri sikur t’i kujtonte se kishin mbaruar ca punë bashkë dhe tani i hynte në punë dhe fakti që ata iu përgjigjen aq shpejtë e bëri këtë edhe më të besueshëm. Dako mundi ta nxjerrë Mukën në një protestë me 30 vetë që do të niste dhe fillesën e grackës ku ai po e hedh PD-në. Muka doli në fakt me të gjithë stafin e tij në këtë protestë. Dolën si të keqpërdorur për faktin se kishin humbur një garë brenda partisë, po nuk kishin humbur mbështetjen e qytetit”.

Madje, sipas kësaj media, z. Stafa i paska dërguar, jozyrtarisht, botuesit dhe kryebashkiakut Dako gjashtë mijë emra si të shoqërisë civile po që në fakt janë në shumicë njerëz që janë anëtarë të PD-së.

PËRPLASJA: STAFA PENGOI DORËZIMIN E PETICIONIT

Ndërkaq “Dyrrah”-u ka mësuar për një përplasje të z. Stafa me klanin kundërshtar, ku i kërkohet llogari pse ka penguar dorëzimin zyrtarisht në Ministrinë e Kulturës dhe bashkinë e Durrësit të peticionit me 6 mijë firma.

Sipas kundërshtarëve të liderit lokal të opozitës, peticioni me 6 000 firma u ndërmor nga komiteti për mbrojtjen e shatërvanit: Bashkim Kadiu, Andi Lila, Egli Meto, Teuta Kalakula, Ada Spiru, që përfaqësojnë lëvizjen për mbrojtjen e shatërvanit.

Z. Osman Stafa akuzohet se ka urdhëruar znj. Teuta Kalakula, njërën nga anëtaret e komitetit, të mos dorëzojë dokumentet e peticionit, të cilat i ka pasur ajo në administrim.

Peticioni, pjesa e firmave, nuk është dërguar në bashki, me gjithë këmbënguljen e anëtarëve të tjerë të komitetit, ajo kërkon që të flitet me Stafën për të marrë OK e tij që të japë dokumentet e firmave të peticionit.

Madje, është bërë akuza se, me gjithë që është një lëvizje qytetare, të infiltruar të Stafës po kërkojnë të sabotojnë procesin, duke rënë dakord dhe me kryetarin Dako.

Sipas burimit nga lidershipi vendor i PD-së, z. Stafa justifikohet se 6 mijë nënshkruesit janë votues potencialë të PD-së, prandaj do t’i sulmojë z. Dako, i cili mund t’i shfrytëzojë emrat e peticionit për t’i kontaktuar,‎duke i kthyer në favor të PS-së.

Kurse krahu konstatues thotë se emrat janë qytetarë të lirë që kanë firmosur peticionin në rrugë, pa dallime partiake.

“Dako ka marrëveshje me Stafën”, ky është denoncimi i klanit tjetër, sepse, po të vazhdohej me këmbënguljen e peticionit, kryebashkiakut do t’i hapeshin probleme, meqenëse atij i duhet të ecë me punimet për të treguar punën për fushatën e ardhshme elektorale vendore.

Dhe si për t’i vënë vulën, kundërshtarët e udhëheqjes së re, thonë se PD-ja e Durrësit dhe vetë z. Stafa nuk e kapi këtë kauzë qytetare që u bë një lëvizje dhe pati impakt në shkallë kombëtare, duke vënë në lëvizje dhe qeverinë, prandaj tani kërkon ta sabotojë, sepse nuk është në krye të kësaj lëvizjeje qytetare dhe e ka kuptuar që nuk mund ta përdorë atë për motive politike.

Thjesht, po i përmendet Stafës se po ecën në gjurmën e paraardhësve të tij dhe të këshilltarëve të djathtë në pazaret me Dakon dhe PS-në.

Analiza

“LAME E CO” SI GJOBËVËNËS

Historia me mbrojtjen e shatërvanit nga zhvendosja, jo shkatërrimi, e theksojmë, mori përmasa komike, kur u morën me qira nga Tirana edhe OJQ-ërsa profesionistë për një sebep thjesht lokal, ku nuk kishte kauzë, por thjesht nostalgji fëmijërie, që, tek e fundit, është edhe e justifikueshme.

Çështja u bë serioze vetëm, kur Artan Lame and Co. vendosën “t’ia nxijnë jetën” kryebashkiakut durrsak, thjesht për sport dhe jo për dashuri ndaj trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar. Koleksionisti kolonjar, që dikur i mbante çantën Kapiten Antinorit (ndjesë pastë!), veç për dava trashëgimie kulturore e për dava monumentesh kulture (shatërvani, xhanëm, nuk është as i tillë), nuk e çan kokën.

Problemi është tipik shqiptar. Dakoja duhet t’ia ketë shkelur diku bishtin Lames me shokë dhe Lameja po ia nxjerr inatin me granilin e shatërvanit. Më thjesht akoma, mund të jetë një gjobëvënie tipike, aq shumë e praktikuar nga zyrtarët e shtetit shqiptar. 

PSE SHAHEN ME “LIBËR SHTËPIE” BLUTË DURRSAKË

Të mendosh, që kryebashkiaku Dako kauzën jo-kauzë të shatërvanit e ka përdorur si grackë për të identifikuar anëtarësinë dhe simpatizantët blu në Durrës, më së paku, është fanta-shkencë mjaft e guximshme.

Partia Demokratike në Durrës është, fatkeqësisht, ende në ditë të hallit, si të thuash, me forcat e veta, e për këtë nuk ka nevojë për kurthe të Vangjush Dakos, që të shkaktojnë sherrnaja të brendshme në parti.

Blutë durrsakë nuk shahen “me libër shtëpie” si pro apo kundër shatërvanit, por për poste partiake, që shpresojnë nesër të konvertohen në poste shtetërore dhe mandate deputetësh.

PS E DI KUSH VOTON DJATHTAS, S’ KA NEVOJË PËR LISTA

Partia Demokratike është parti legale dhe jo një celulë e fshehtë, prandaj Dako nuk ka nevojë të konsultojë listën, le të themi 6 000 anëtarësh, të nënshkruesve të peticionit për të marrë vesh, se cilët persona në Durrës votojnë blu.

Duke i hedhur një sy listës së firmëtarëve, dallohen dhjetëra emra komisionarësh blu të zgjedhjeve të vitit 2013. Këta komisionarë kanë qenë me  bejxh në gjoks për zgjedhje, ku shkruhej qartë përkatësia partiake, atëherë Dakoja dhe njerëzit e tij na paskan pritur aferën shatërvani për të identifikuar komisionarët blu, një pjesë e të cilëve ende nënshkruajnë në borderotë e shtetit! 

Në periudhën e zgjedhjeve militantët rozë me siguri nuk dinin shkrim e këndim për të lexuar emrat e komisionarëve blu dhe për t’ia raportuar Vangjush Dakos këto emra! Çfarë dreqin do t’u sulmojë Dakoja këtyre votuesve potencialë blu, sikur ata të jenë anëtarë të ndonjë celule ultra ilegale, që Vangjush Dako na e paska zbuluar me stratagjemën e provokacionit  Shatërvani

Të mendosh se këta emra supersekretë, që na dalkan ndër firmëtarët e peticionit do t’i kontaktojë dhe blejë me para Dakoja njëlloj si xhambazi, që ble kuaj e gomarë në pazar të gjësë së gjallë, do të thotë që anëtarësia dhe votuesit blu janë një tufë hajvanësh, që do t’i blejë parelliu Dako me skonto (me çmim shumice) dy ditë para zgjedhjeve.

Normalisht, kryetari Stafa urgjentisht duhet t’u tregojë derën e selisë blu këtyre, që shiten për paratë e Dakos. Jo më kot populli thotë: “më mirë djepi bosh se djalli në të”.

TË MOS KUPTOSH ENDE QË NUK JE MË NË PUSHTET

Opozita në Durrës ka 101 kauza të tjera më të vlefshme për të bërë opozitë anti-të majtë e anti-Dako sesa ky farë shatërvani, që na qenka me vlera artistike dhe historike shumë më të mëdha edhe se  Fontana Trevi në zemër të Romës.

Gjithsesi nuk është strategji e Dakos për të përdorur shatërvanin për të demaskuar grupin antiparti, puçist revizionist të deputetit Cara, apo për të luftuar jo-durrsakë, në daç, quaji edhe katundarët, që paskan zaptuar kolltukët partiakë në Partinë Demokratike durrsake.

Qenia nismëtar i një Kadiu 200-vjeçar në Durrës, të një Lile 130-vjeçar në Durrës apo të një Spiru njëshekullor në Durrës nuk është kundërvënie ndaj grupit fshatar në Partinë demokratike në Durrës, nuk është as edhe qëndrim kundër tezës maoiste, që fshati duhet të rrethojë qytetin.

Thjesht kemi të bëjmë me një Parti Demokratike në opozitë, që ende nuk e ka kuptuar, jo pse ka dalë në opozitë, por që nuk është më në pushtet.

Partia Demokratike në Durrës kundërshtar ka koalicionin e socialistëve me partinë e Metës, kundërshtar ka kryebashkiakun Dako.

Kjo parti nuk ka kundërshtar politik vetveten.

Kjo parti duhet të mundë Dakon në zgjedhjet e ardhshme, jo të sjellë në qytet mentalitetin, sjelljen, argumentet apo intrigat e nivelit të ish-brigadave të blegtorisë të ish-kooperativave bujqësore.

Për ata, që s’e dinë, u kujtojmë që Durrësi është qytet turistik, tregtar, nyjë transporti, industrial, arkeologjik etj. etj., por kurrsesi blegtoral!

Shënim: Shkrimi është qëndrim editorial.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/