21 Shtator 2014 – Gjithnjë e më shumë, ish-kryeministri Sali Berisha po bëhet protagonist i faqeve tona rozë. Vazhdimisht gjen materiale ngacmuese, për të cilat ia vlen të flasësh. Në fakt, zoti Berisha kishte premtuar se tani që nuk është më kryeministër, do të merrej më shumë me politikë, por në fakt ai po merret edhe me individë që janë figura publike, por edhe jashtë politikës.
Disa ditë më parë, ai publikoi në rrjetin social “Facebook”, në faqen e tij që ka kaluar tashmë 1 milion pëlqyes, një galeri me foto ku ai ishte fotografuar me moderatorin dhe kantautorin e njohur Ardit Gjebrea, në Gjirin e Lalëzit, aty ku kanë kaluar një pjesë të mirë të pushimeve që të dy. Pak ditë më parë, në rrjetet sociale ka qarkulluar edhe kjo foto, ku ish-kryeministri ka pozuar me dy modelë, Aurela Hoxhën dhe Alesio Alinë.
Në dukje të japin përshtypjen se nuk i bashkon asgjë, përveç faktit se dy modelët mund të jenë fansa të Berishës dhe kanë dashur të kenë një kujtim me të. Por në fakt ka më shumë se kaq. Ata që të tre kanë origjinë nga Tropoja, paçka se vendlindja për ta është tashmë një kujtim i largët, sepse jeta e tyre është në metropole.
/Panaroma/





