21 shtator 2014 – Në pallatin e Sportit “Farie Hoti” në kryeqytet u zhvillua kampionati kombëtar ekipor për të rritur në Ping Pong, ku morën pjesë 18 skuadra nga i gjithë vendi. Tomori për meshkuj dhe Teuta për femra u shpallën kampion në kategoritë respektive, pasi shfaqën një nivel më të lartë se kundërshtarët e tyre, ndonëse rivaliteti ishte i lartë. Vlen të theksohet fakti që pas 5 vjetësh Teuta e Durrësit arrin të thyejë hegjemoninë e Elbasanit në kategorinë e femrave, ku në vendin e tretë u klasifikua Tomori.

Për sa u përket meshkujve, pas Tomorit kryesues u renditën Studenti dhe Elbasani. Sipas drejtuesve të Federatës Shqiptare të Ping Pongut, ky kampionat ishte një tjetër hap cilësor i pingpongut shqiptar, që gjithsesi ka ende shumë punë për të bërë në rritjen e cilësisë, ndërsa mbetet gjithashtu një garanci për paraqitjen sa më të mirë në kampionatin e 40-të ballkanik për moshat U-21 që do të zhvillohet në Tiranë në Datat 15 deri 19 Tetor.  

/Agjencia e Lajmeve Dyrrah/