DURRËS, 20 shtator 2014 – Ardhja e Papa Françeskut në Tiranë është shoqëruar me masa të larta sigurie në portin kryesor të vendit, ku janë përfshirë të gjitha strukturat shtetërore: forca e sigurisë e Autoritetit Portual Durrës (APD), policia kufitare dhe e migracionit, forca detare e Ushtrisë (Flotilja detare, Qendra e Vëzhgimit Detar), kapitaneria, dogana, ndërkohë që shërbimet sekrete shqiptare dhe të huaja partnere kanë dërguar agjentë civilë etj.
Në kalatën 0, në kanalin hyrës, patrullon anija ushtarake Lissus e Forcës detare, që ka marrë pjesë në qershor 2014 në stërvitje të NATO-s.
Kjo anije dhe mjete detare të policisë kufitare dhe të emigracionit po kontrollojnë hapësirën detare brenda portit dhe në radën e jashtme, ndërkohë që, fatmirësisht, më 20 shtator 2014, nuk ka pasur tankerë me karburante për shkarkim në pontilin e Porto Romanos.
Mësohet se janë krijuar 4 grupe kontrolli të posaçme.
Për shkak të kompleksitetit të punës në port, ndihet nevoja e bashkërendimit, sidomos gjatë zbarkimit të udhëtarëve dhe automjeteve nga 4 tragetet, tre për të cilëve kanë ardhur në mëngjesin e 20 shtatorit me 40-80 minuta me vonesë, për shkak dhe të keqësimit të kushteve meteorologjike në detin Adriatik.
Ndaj udhëtarëve është zgjatur periudha e verifikimit të dokumenteve, po ashtu dhe ka pasur kontroll të imët në autoveturat, trajlerët dhe kamionët.
Sistemi i kamerave i forcës së sigurisë portuale është vënë në gatishmëri të plotë për të ndaluar hyrjen dhe daljen në mënyrë të paligjshme nga rrethimi i portit të personave vendas apo të huaj (të fshehur nëpër tragete apo transportues mallrash); po ashtu është verifikuar dhe gjendja teknike e skanerëve.
Kapitaneria, policia kufitare dhe e emigracionit, së bashku më doganën kanë kontrolluar listat e ekuipazheve të 6 anijeve tregtare, pasi mund të ketë “marinarë” fiktivë, për më tepër që 3 nga anijet me mallra janë me flamur panamez dhe 1 me mlodav, si dhe vijnë nga porte të ndryshme.
Ja lista e anijeve e verifikuar nga “Dyrrah”-u deri në orën 13 të datës 20 shtator 2014 (shih hartën dhe raportin ditor të dispeçerit të APD-së):
Rita BR, me flamur Itali, shkarkon skrap (5 300 tonë).
George, me flamur Panama, shkarkon qymyr (11 000 tonë), vjen nga Rusia.
Mermaid I, me flamur Panama, shkarkon melaminë (1 929 tonë), vjen nga Greqia. Piper, me flamur Moldavi, shkarkon grurë (2 100 tonë), vjen nga Greqia.
Frojdi II, me flamur Shqipëri, shkarkon ushqimore (764 tonë), vjen nga Bari
MSC Jilhan, me flamur Panama, shkarkon kontejnerë (433 copë) vjen nga Katania.
Nuk dihet nëse do të futet në përpunim anjë transportues që ndodhet në radë: anija Princess Maria, me flamur Tanzani dhe Zanzibar, menaxher-pronar Al Maria Maritime në Beliz, që do të ngarkojë çimento (5 700 tonë) vjen nga porti libian i Tobrukut, fotografuar në portin e Durrësit më 3 shtator nga Edi Gjata.
Po ashtu, të dielën, ditën e vizitës së Atit të Shenjtë, janë parashikuar të mbërrijnë dhe 3 anije mallrash, por është e paqartë nëse do të lejohen të bregëzohen në kalata pa u largua kreu i Vatikanit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





