- Bashkëjetesa paqësore ndërfetare në Shqipëri është “një sinjal i mirë ndaj botës”. Kështu është shprehur Papa Françesku në prezantimin para 50 gazetarëve, mes tyre edhe gazetari Sokol Balla, të cilët e kanë ndjekur në fluturimin e tij nga Roma për në Tiranë, në këtë vizitë historike për vendin tonë.
Tirane, 21 shtator 2014 – “Shqipëria është një vend që ka vuajtur shumë”, ka nënvizuar Papa, por më pas “ka mundur të gjejë paqen pavarësisht diferencimeve të feve të ndryshme. Ky është një sinjal shumë i mirë përpara botës. Dialogu, paqja dhe ekuilibri janë në favor të qeverisjes. Kjo është diçka e mirë edhe për mua, pasi kështu njerëzit kuptojnë se çfarë bëjnë Papa dhe kishat. Iu uroj – u ka thënë gazetarëve – një ditë të kënaqshme pune dhe jo pushimi, pasi do të jetë një punë e madhe për ju, por edhe puna ka ditë të mira. Madje, mos harroni edhe të luteni për mua”.
Biseda është transkriptuar edhe nga faqja zyrtare e Papatit në internet.
At Lombardi, drejtor i sallës së shtypit të Vatikanit:
“At i Shenjtë, mirësevini mes nesh. Jemi të lumtur që, edhe pse udhëtimi është i shkurtër, duam t’iu dedikojmë një minutë përshëndetjeje fillestare. Këtë herë jemi plot 50, madje më shumë se kaq. Por, këtë herë përfaqësojmë 10 vende të ndryshme të botës dhe medie të ndryshme: shtyp i shkruar, agjenci, televizione, radio, fotografë etj. Kemi 6 shqiptarë mes nesh, të 3 televizioneve të ndryshme që do të ndjekin deri në detaj, si në vajtje edhe në kthim, pasi do të jenë sërish me ne, të cilët janë të interesuar të dinë përshtypjet Tuaja për këtë udhëtim. Atje Ju presin shumë vetë, të ardhur por edhe të gjithë shqiptarët, të cilët janë në festë. Atëherë Ju japim fjalën, nëse doni të thoni diçka, qoftë edhe ndonjë përshëndetje, një urim, e më pas do t’Ju urojmë gjithë të mirat për këtë udhëtim”.
Përgjigja e Papës:
“Mirëmëngjesi dhe ju uroj ditë të mbarë të gjithëve. Nuk do të jetë një ditë pushimi, por një ditë pune tepër e ngarkuar. Falemnderit për ndihmën tuaj, që më bën mirë, sepse kështu bota e kupton se çfarë bën Papa, çfarë bëjnë kishat, që në rastin konkret Kisha e Shqipërisë, apo jo? Ashtu siç thashë, është një vend që ka arritur të gjejë paqen pavarësisht ndryshimeve mes feve, e kjo është një gjë e mirë, një sinjal për mbarë botën. Dialogu, paqja, ky ekuilibër është në favor të qeverisjes së vendit. Ju uroj një ditë të mbarë, tepër të ngarkuar, por lutuni edhe për mua. Falemnderit”.
At Lombardi:
“Falemnderit At i Shenjtë. Do t’Ju shoqërojmë dhe do të bëjmë si zakonisht, me shumë kënaqësi, detyrën tonë për t’Ju shoqëruar dhe për të përhapur mesazhin Tuaj. Ditë të mbarë edhe Juve”.
Papa u drejtohet italianëve: Ju uroj paqe e qetësi
Ndërkohë, përpara se të nisej për në Shqipëri, Papa ka bërë urimin e tij për paqe dhe qetësi kundrejt Italisë. Ati i Shenjtë i ka shkruar një telegram Presidentit të Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano.
“Në momentin kur të ngjis shkallët e avionit për udhëtimin tim apostolik drejt Republikës së Shqipërisë, më lejoni që me kënaqësi dhe nderim t’u ofroj të gjithë italianëve përshëndetjet e mia të përzemërta dhe të ngrohta, të cilat shoqërojnë çdo dëshirë për paqe dhe qetësi”.
Selia e Shenjtë, shtohen masat e sigurisë
Pas paralajmërimit për akte të mundshme terroriste kundër Papës ose Vatikanit, shkalla e sigurisë përreth sheshit “Shën Pjetër” është rritur së tepërmi. Janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të shmangur çdo lloj rreziku të mundshëm apo kërcënim nga jashtë.





