20 Shtator 2014 – “Elbasan Arena” po merr formë me konturet e kombëtares për të qenë gati për ndeshjen e inaugurimit që do të shikojë kuqezinjtë përballë Danimarkës. Punimet në stadiumin ku Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë eliminatore të shtëpisë për Euro 2016, vazhdojnë me intensitet të lartë. Gjatë ditëve të fundit ka nisur montimi i stolave me ngjyrat kuqezi siç demonstrojnë edhe imazhet pasi deri në ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar në Tiranë, “Elbasan Arena” do të jetë shtëpia e re e kombëtares së futbollit.
Kompleksi i vjetër “Ruzhdi Bizhuta” iu nënshtrua rikonstruksionit për një stadium të ri që duhet të përfundojë deri në datën 11 Tetor kur do të inaugurohet edhe me sfidën eliminatore kundër Danimarkës. Stadiumi është inspektuar disa herë nga kryeministri Edi Rama por edhe nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, të cilët kanë premtuar se “Elbasan Arena” do të jetë gati në kohë për të pritur sfidën e parë të Grupit I në Shqipëri.





