– “Dyrrah”-u zbardh agjendën vendore dhe kombëtare të pushtetarit vendor dhe politikanit grek: gjatë vizitës treditore do të shkojë edhe në Tiranë dhe Korçë, ku do të takohet me zotërinjtë Edi Rama, kryepeshkopin Anastas, Ilir Meta, Lulzim Basha dhe Sotiraq Filo
DURRËS, 20 shator 2014 – Shtypi grek i fundjavës i ka kushtuar vëmendje vizitës në Durrës, Tiranë dhe Korçë të kryebashkiakut të Selanikut, z. Jani Butari, një politikan karizmatik dhe tejet i vendosur kundër qarqeve ekstremiste raciste dhe antishqiptare.
Sipas burimeve zyrtare greke, gjatë vizitës së tij treditore (nga e diela 21 deri të martën 23 shtator 2014), z. Jani Butari do të pritet nga kryeministri shqiptar Edi Rama, dhe kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë Anastas dhe do të ketë takime zyrtare me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta, kryetarin e bashkisë së Tiranës, shef i opozitës Lulzim Basha dhe me kryebashkiakun e Korçës Sotiraq Filo.
Në njoftimet nga Athina nënvizohet fakti se në qytetin e Durrësit, kryetari i bashkisë së Selanikut, z. Jani Butari, do të shpallet qytetar nderi, po ashtu do jetë i pranishëm në vënien e emrit të Selanikut një sheshi dhe do të nënshkruajë projektmarrëveshjen e binjakëzimit ndërmjet dy qyteteve.
Në mbledhjen e 2 dhjetorit 2013 të këshillit bashkiak të qytetit të Durrësit u bë votimi për miratimin dhe ratifikimin e protokollit të binjakëzimit midis qyteteve të Durrësit dhe Selanikut dhe për shqyrtimin dhe miratimin e emërtimit të sheshit “Selanik-Greqi” në një nga lulishtet e qytetit (kliko në http://www.vendime.al/wp-content/uploads/2013/12/Vendim-i-keshillit-bashkiak-Durres-nr-165-date-02.12.2013.pdf).
Info 1
Delegacion i bashkisë së Selanikut i kryesuar nga kryetari i z. Jani Butari, vjen me ftesë të Kryetarit të Bashkisë së Durrësit z. Vangjush Dako për të nënshkruar projektmarrëveshjen e binjakëzimit ndërmjet dy qyteteve.
Delegacioni mbërrin në Durrës të dielën, më 21 shtator 2014, ndërkohë që ditën e hënë, më 22 shtator 2014, do të zhvillohen këto veprimtari zyrtare:
1. Ora 10:00 Pritje në zyrën e Kryetarit të bashkisë
2. Ora 10:30 Shkëmbim dhuratash simbolike
3. Ora 11:00 Ceremonia e dhënies së titullit Qytetar Nderi për z. Yiannis Boutaris, salla e Këshillit Bashkiak
4. Ora 11:30 Konferencë shtypi e dy kryetarëve të bashkive
5. Ora 12:00 Ceremonia e vënies së emrit “Selaniku” një sheshi
Info 2
Ndonëse qarqe ekstremiste greke kanë bërë një antimiting kundër kryebashkiakut Butari, më 4 tetor 2013, u zhvillua ceremonia e vendosjes së emrit “Durrësi-Shqipëria” një parku në qytetin e Selanikut.
Z. Butari u shpreh se dy qytetet i lidh rruga Egnatia, por edhe komuniteti prej 70 mijë shqiptarësh që jetojnë e që janë integruar plotësisht në Selanik.
Kryebashkiaku Janis Butaris është politikan tepër i moderuar, që ka ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyer me komunitetin e emigrantëve të huaj në Selanik.
Kështu, në sheshin përballë stacionit të trenit në Selanik, u vendos pllaka me këtë emër dhe në krah të flamurit grek valëvitet edhe flamuri shqiptar.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





