TIRANË 19 Shtator 2014 – Burrë e grua kanë rënë në prangat e policisë pasi kanë joshur, mashtruar dhe shantazhuar një biznesmen në Tiranë.
Mësohet se shtetësja Ilinelda Smaqi 36 vjeçe, nënë e dy fëmijëve ka joshur në vitin 2010 biznesmenin 55 vjeçar me inicialet B.SH, duke krijuar një lidhje me të. Skema ishte e mirëorganizuar, pasi i shoqi e ka kapur me biznesmenin dhe që nga ai moment çifti ka nisur shantazhet ndaj këtij të fundit.
Bashkëshorti i Smaqit e ka kërcënuar duke i kërkuar shuma të konsiderueshme parash, me qëllim që të harronte lidhjen e biznesmenin me gruan e tij 36-vjeçare. Mësohet se që nga 2010 deri në 2012 ky i fundit ka përvetësuar plot 87 milionë lekë nga biznesmeni.
Në 2012 duket se ka pasur pak momente qetësie për biznesmenin e rënë në kurth, pasi Smaqi përfundon në burg për grabitje. Por gjatë 3 muajve të fundit ai ka dalë tre herë me leje nga burgu duke nisur sërish shantazhin ndaj tij.
Kësaj herë ai i kërkonte 17 milionë lekë biznesmenit B.SH, ndryshe do shkonte t’i tregonte historinë gruas së tij. Duke mos duruar dot shantazhet biznesmeni e ka denoncuar në polici. Pas përgjimeve grupi i hetimit ka siguruar provat që vërtetojnë shantazhin dhe ka arrestuar çiftin Smaqi.
/Balkanweb/





