Tiranë, 19 shtator– Dita e ardhjes së Atit të Shenjtë, më 21 shtator, do të shoqërohet me një program të ngarkuar. Në ndihmë të qytetarëve dhe besimtarëve që duan të ndjekin nga afër këtë ditë të shënuar më poshtë njihuni me detajet dhe mënyrën se si do të jetë e organizuar kjo ditë e veçantë dhe historike për shqiptarët.

Në këtë kontekst është hartuar e vënë në zbatim një plan i posaçëm masash me detyra konkrete për të gjitha strukturat e policisë dhe të gjithë institucionet e përfshira me përgjegjësi për sigurinë e vizitës së Papës në Shqipëri.

Policia e Shtetit do të kalojë në gatishmëri të përforcuar në të gjithë vendin, ndërkohë që 2500 forca policore do të jenë të angazhuara me detyra konkrete për të siguruar mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve të planifikuara.

Janë marrë masa të gjithanshme duke nisur nga Pikat e Kalimit Kufitar e deri në brendësi të territorit.

Policia e Shtetit bën me dije publikun se do të ketë kontrolle të shtuara policore në të gjitha akset rrugore, si dhe në të gjitha pikat hyrëse në kryeqytet. Në zonën ku do të zhvillohet aktivitetet e parashikuara në axhendën e vizitës, masat e sigurisë dhe prezenca e punonjësve të Policisë së Shtetit me uniformë dhe civilë, do të jetë maksimale.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit u kërkon të gjithë qytetarëve të kufizojnë në maksimumin e mundshëm lëvizjet me automjetet e tyre në të gjitha akset rrugore të qytetit të Tiranës, si dhe akset që lidhin kryeqytetin me zonat përreth tij gjatë ditës së vizitës së Papës. Qytetarëve që kanë lëvizje drejt aeroportit u kërkohet që të shfrytëzojnë hapësirat jashtë këtyre harqeve kohore për shkuar në Rinas.  

Kujdesi shëndetësor

Policia do të jetë në gatishmëri të plotë për të shoqëruar të gjitha autoambulancat në rastet e emergjencave shëndetësore.

Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në Sheshin “Nënë Tereza”, Ministria e Shëndetësisë ka marrë masa në mënyrë që qytetarët të asistohen nga:

– Çadra me staf mjekësor të specializuar

– 15 ambulanca

– helikopter mjekësor

– dy qendra mjekësore të ndihmës së shpejtë do të ngrihen në Pallatin e Kongreseve dhe përgjatë Blv “Dëshmorët e Kombit”

– vullnetarë në pikat e ujit përgjatë gjithë kohës së zhvillimit të aktivitetit;

– vullnetarë me çanta uji përgjatë Blv “Dëshmorët e Kombit;

Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe përreth tij do të vendosen 60 tualete të lëvizshme, me akses edhe për njerëzit me aftësi të kufizuara. Vullnetarët, e vendosur përgjatë gjithë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” do t’i identifikoni nga shenjat dalluese (bluza dhe baxha).

Ekrane LIVE

Ardhja, takimet dhe Mesha e shenjtë që do të mbajë Papa Françesku do të transmetohen LIVE në ekrane të vendosur përgjatë gjithë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza” dhe Pallatit të Kongreseve. Pallati i Kongreseve do të transformohet në një qendër mediatike ku agjencitë ndërkombëtare të medias të akredituara për këtë vizitë do të transmetojnë LIVE vizitën e Papa Françeskut.

Programi i vizitës së Papa Françeskut në Tiranë

o Më 21 shtator 2014, ditë e diel, Papa do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit në orën 9.00 ku do të pritet me një ceremoni të veçantë nga Kryeministri shqiptar Edi Rama. o Në orën 9:30, Papa do të pritet nga Presidenti i Republikës. o Në orën 10:00 do të takohet me autoritetet në sallën e pritjes së Presidencës dhe do të ketë një fjalim të Atit të Shenjtë.

o Në orën 11:00 do të kremtohet një meshë në sheshin “Nënë Tereza”, shoqëruar nga fjala e Papa Franceskut në fund të saj. o Në orën 13:30, papa do të takohet në një drekë me Ipeshkvinë shqiptare dhe shpurën papnore. o Në orën 16:00, papa do të takohet me krerët e komuniteteve të tjera dhe komuniteteve të krishtera në Universitetin katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe aty do të mbajë një fjalim.

o Në orën 17:00 do të ketë një kremtim të lutjes mbrëmesore në katedralen e “Shën Palit” në Tiranë, ku do të ketë edhe një fjalim të posaçëm.

o Në orën 18:30 do të ketë një takim me fëmijët e qendrës “Betania” dhe një përfaqësi të qendrave bamirëse të kishës katolike në Shqipëri.

o Në orën 19:45, Papa do të largohet me një ceremoni nga aeroporti “Nënë Tereza”.

 

Këshilla për qytetarët që do të marrin pjesë në ceremoni

Qytetarët që do të marrin pjesë në ceremoni të evitojnë veshjet e rënda, pasi nga policia do të ketë kontrolle trupore.

Nuk duhet të kenë me vete çanta shpine apo valixhe të ndryshme.

Të mos mbajnë sende të forta apo objekte të tjera që mund të jenë të dyshimta për forcat e policisë.

Nuk do të lejohet mbajtja e shisheve të qelqit. Rekomandohet përdorimi i shisheve plastike për ujë apo pije të tjera freskuese.

Qytetarët që dëshirojnë të marrin pjesë në meshë, duhet të afrohen drejt sheshit para orës 09.00. Pas kësaj ore do të jetë e pamundur hyrja në Sheshin ”Nënë Tereza”. Meshën mund ta ndjekin të gjithë. Sheshi "Nënë Tereza" është një hapësirë e limituar për arsye sigurie, ku vendi i pjesëmarrjes do të jetë i përcaktuar nga Kisha dhe autoritetet e protokollit të Shtetit.  Përgjatë Bulevardit mesha mund të ndiqet nëpërmjet ekraneve që transmetojnë direkt.

Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e qetë dhe sigurinë përgjatë gjithë ditës, jo vetëm në zonën e qendrës, por në të gjitha vendet ku do të zhvillojë takime Papa Françesku.

Numra emergjence:

Telefononi në numrin 129 për të gjitha rastet kur do të konstatohet diçka të dyshimtë. Telefononi për ndihmë mjekësore në numrin 127 dhe 042222235