Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e Bashkisë së Leçes në Itali Paolo Perrone. Marrëveshja është nënshkruar gjatë vizitës zyrtare që ka zhvilluar kryebashkiaku Dako në Leçe në krye të një delegacioni të Bashkisë së Durrësit që kishte në përbërje të tij edhe drejtorin e planifikimit dhe kontrollit të territorit Adhurim Qehajaj si dhe drejtorin e politikave të zhvillimit ekonomik dhe turizmit Sokol Kokomani. Nga pala italiane përveç kryebashkiakut të Leçes, Perrone, merrnin pjesë në ceremoninë për firmosjen e kësaj marrëveshjeje këshilltari për urbanistikën Severo Martini, drejtori i urbanistikës të Bashkisë së Leçes, Luigi Maniglio si dhe drejtori i programacionit strategjik dhe komunitar të Bashkisë së Leçes Raffaele Parlangeli.
Marrëveshja e nënshkruar zyrtarizon një bashkëpunim të ngushtë dhe shkëmbim përvojash midis Durrësit dhe Leçes në fushën e transformimit urban, si dhe shkëmbimin ekonomik, shkencor, kulturor, sportiv, social, turizmit dhe promovimin dhe të mësuarit e gjuhëve të origjinës.
Në fjalën e tij kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako deklaroi se kjo marrëveshje është hapi i parë drejt binjakëzimit të Durrësit me Leçen: “Eksperienca e Bashkisë së Leçes sidomos në fushën e urbanistikës dhe planifikimit të territorit është mjaft e vlefshme. Po kështu duke patur parasysh se Bashkimi Europian në kuadër të Programimit 2014-2020, do të financojë projekte në shumë fusha atëherë ofrohet një gamë e gjerë e mundësive për bashkëpunim midis Leçes dhe Durrësit në mbështetje të politikave të transformimit të të dy qyteteve në një perspektivë evropiane. Kjo marrëveshje është hapi i parë drejt një binjakëzimi të plotë midis qytetit të Durrësit dhe atij të Leçes.”
Ndërsa kreu i Bashkisë së Leçes Paolo Perrone e vuri theksin midis të tjerave tek shtimi i shkëmbimeve turistike midis dy qyteteve: “Leçe dhe Durrësi janë dy qytete pranë njëri tjetrit jo vetëm gjeografikisht por edhe për sa i përket aseteve turistike. Jam i sigurt se së bashku mund të rrisim dhe të forcojmë më tej shkëmbimet turistike si dhe të punojmë në ruajtjen dhe promovimin vlerave turistike si dhe trashëgimisë kulturore të dy qyteteve tona”
Të dyja palët kanë interesa të përbashkëta në vendosjen e kësaj marrëdhënieje bashkëpunimi mes dy bashkive, për të lehtësuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetës së komuniteteve përkatëse. Bashkëpunimi mes dy qyteteve ofron mundësinë për të transmetuar dhe shkëmbyer përvojat si dhe për të filluar projekte për çështje me interes të përbashkët.
Janë disa programe të bashkëpunimit tashmë ekzistuese ose të sapo nisura ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë si:
Programi për konvertimin e borxhit (IADSA, Borxhi Italo-Shqiptar për Zhvillimin e Programit Swap) me qëllim mbështetjen e iniciativave të zhvillimit social të promovuara nga ana e institucioneve publike shqiptare kompetente; Programi IPA CBCII (Itali-Shqipëri-Mali i Zi 2014) instrumenti për Ndihmën e Para-Anëtarësimit IPA (Instrumenti i Para-Anëtarësimit) që ofron asistencë për vendet kandidate dhe vendet kandidate potenciale të angazhuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE); Urbact III programi evropian i bashkëpunimit territorial financuar bashkarisht nga Bashkimi Evropian (përmes Fondit Evropian të Zhvillimit të Rajoneve) dhe Shteteteve anëtare i cili mbulon të gjithë periudhën e programimit 2014-2020; Politika e Kohezionit 2014-2020 politika e kohezionit do të mundësojë vënien në lëvizje të fondeve të destinuara për rajonet dhe qytetet e BE si dhe ekonomitë reale të rajoneve.
/agjencia e lajmeve Dyrrah/





