DURRËS, 17 shtator 2014 – Mbrëmjet artistike për vizitën e papa Françeskut në Shqipëri nisën rrugëtimin me qytetin e Durrësit.

Në konkatedralen katolike “Shën Luçia” u dha, më 16 shtator 2014, koncerti i parë i turit “Waiting for the Pope” (Duke pritur Papën).

Gjatë koncertit pjesë nga librat e autorëve me profil religjoz u interpretuan nga aktorët Marjetë Larja, Dritan Boriçi dhe Sokol Angjeli.

Aktorët lexuan vepra homazhi për Nënë Terezën shkëputur nga libri “Nënë Tereza me Shqiptarët”, homazh për Gjergj Fishtën shkëputur nga libri ”Vallja e Parrizit si dhe homazh për Vinçens Prennushi shkëputur nga libri “Gjeth e lule”.

 “Ndihmo me to të gjithë që dëshiron dhe i duhen duart e mija, o zot, po t’i jap duart e mija tani, që ta kalosh këtë ditë që ta kalosh këtë ditë. Duhen këmbët e mija, shko tek ai që pret e pret t’i vijë një mik, o Zot”- recitoi Boriçi

Për Dom Gjergj Metën Ati i Shenjtë zgjodhi të vizitonte Shqipërinë për dy arsye:

“Ati Shenjtë në Shqipëri vjen për dy motive. Motivi i parë është se vjen për të inkurajuar një popull që ka vuajtur dhe motivi i dytë për të inkurajuar dialogun ndërfetar, dialogun ndërmjet besimeve të ndryshme. Dhe ne që jemi këtu sot e vërtetojmë këtë gjë”.

Në orkestër ka instrumentistë të besimit mysliman, ortodoks dhe katolik, e cila nën dirigjimin e Edmond Dokos, shoqëroi këngëtaret Marjanë Leka dhe Vikenë Kamenica.

“Waiting for Pape” është një iniciativë e përbashkët e Kishës Katolike dhe Bibliotekës Kombëtare.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah’/