Beteja tregtare, turku “malazez” i Tivarit ia “ngec” turkut “shqiptar” të Durrësit
DURRËS, 17 shkurt 2014 – Ndonëse në portin detar vëllimi i punës me mallrat e përgjithshme gjatë 8-mujorit 2014 është më i madh se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, bie në sy që ka një rënie të dukshëm të trafikut të kontejnerëve.
Sipas statistikave zyrtare 8-mujorit 2014 të drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të ndërmarrjes shtetërore të Autoritetit Portual Durrës (APD), në terminalin e kontejnerëve janë përpunuar 69 683 njësi kontejnerike (TEU) nga 72 497 të tilla në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me një diferencë prej 2 814 më pak.
Vërehet se shumë kompani lundrimi të huaja, por edhe shqiptare kanë devijuar fluksin e kontejnerëve transit për në Kosovë e më gjerë, duke ia hequr portit të Durrësit dhe duke e drejtuar në terminalet e Tivarit dhe Patrasit.
Kjo për shkak të vonesave të theksuara në ngarkim-shkarkim në Durres Container Terminal (koncesioni i Grupit turk “Kurum”).
Sikurse është bërë e ditur, DCT-ja ende nuk ka zgjidhur mosmarrëveshjet me APD-në për vendosjen e dy vinçave, që i ka sjellë pa miratimin e autoriteteve shqiptare, njëi ndodhet në DCT dhe tjetri në kalatën lindore.
Zyrtarisht, sipas QKR-së, Kurum Shipping ka 10 200 aksione, paketën kontrolluese, prej 51 për qind të DCT-së; kompania më e madhe e menaxhimit të porteve në Turqi Global Liman Isletmeleri ka 200 aksione, ose 1 për qind të koncesionit; ndërkaq kompania malteze Mariner ka9 600 aksione ose 48 për qind të aksioneve, por që nuk merret fare me Kurum-in në Durrës, pasi e ka mendjen në Baltic Container Terminal (Riga, Letoni) dhe në Terminal Intermodale Venezia të Italisë.
Mund të spekulohet se “fitilat” Kurum-it po ia fut ortaku 1-përqindësh, Global Liman Isletmeleri (Global Ports Holdings), i cili ka blerë 62 për qind të aksioneve të portit malazez të Tivarit.
Sipas drejtorit të përgjithshëm të Global Liman Isletmeleri Saygın Narin, porti i Tivarit përpunonte 35 000-40 000 kontejnerë në një sipërfaqe prej 400 000-450 000 metra katrorë, megjithatë kapaciteti mund të zgjerohet deri në 1 milion TEU, si rezultat i disa punimeve infrastrukturore që do të kryhen.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





