Tiranë, 17 shtator-Akciza duhet të jetë taksa e parë që pritet të rritet, në rast se qeveria shqiptare do të pranojë sugjerimin e Fondit Monetar për ndryshim në rritje të disa taksave. Siç është bërë tashmë e ditur, ekspertët e FMN-së u larguan nga vendi ynë pa realizuar, për herë të parë, konferencën konkluduese për shtyp, për shkak se shumë çështje kanë mbetur të pambyllura. Ndër to përfshihet edhe rezultati zhgënjyes në grumbullimin e akcizës nga administrata fiskale (Dogana).
Për periudhën 7-mujore, të ardhurat nga akciza rezultojnë të jenë me 4 miliardë lekë më pak se planifikimi, ndërkohë që si 8-mujor janë siguruar vetëm 51% e të ardhurave të planifikuara për gjithë vitin 2014, megjithëse kaluan 2/3 e vitit. Në fillim të vitit ka hyrë në fuqi një rritje e akcizës, por më pas u vure se nga muaji në muaj, rezultatet nuk ishin ato që priteshin.
Nga 1 janari, akciza e pijeve alkoolike, birrës, cigareve dhe pijeve energjike (taksim i ri), pësoi një rritje të ndjeshme. Akciza e birrës vendëse pati një rritje prej në 360 lekë për gradë alkooli. Nga 1 janari u rrit me 19% akciza për birrën e importit dhe me rreth 35% ajo për birrën vendese dhe efekti i përllogaritur arrinte në 3.5 milionë USD kosto shtesë vetëm për këtë industri.
Ndërkohë, akciza për duhanet u rrit me 20 lekë për paketë cigaresh dhe do të vazhdojë të rritet me nga 10 lekë për tre vitet në vazhdim, që do të pasqyrohet direkt në çmimet në treg. Qeveria parashikoi të mbledhë rreth 33 milionë dollarë më shumë nga akciza e duhanit.
Rritje kanë akcizat e të gjitha pijeve alkoolike, me një efekt deri në 30%. Gjithë efekti financiar që do të kishte paketa fiskale në buxhetin e shtetit për këtë vit u parashikua të jetë në rreth 20 miliardë lekë.
Kështu, në rast se kërkon të mos i shpëtojë nga dora mundësia e një kësti të tretë të huasë nga FMN, qeveria Rama duhet të miratojë një rritje të akcizës. Që mund të jetë vetëm një nga ndryshimet fiskale, që do të pasqyrohen në paketën përkatëse për vitin e ardhshëm.
Administrata doganore, që është e ngarkuar sipas ligjit me grumbullimin e akcizës, ka shënuar shifra jo vetëm më të ulta se plani për 2014-ën, por ato kanë qenë shumë pak më të larta se shifrat e vitit të kaluar.





