Bruksel, 16 shtator-Bashkimi Europian ka vendosur që nga 25 shtatori 2014, konsullatat e gjithë shteteve të zonës Schengen në Shqipëri të përdorin Sistemin Informativ për Viza (VIS). Kjo do të thotë se për aplikuesit për vizë qëndrimi me afat të shkurtër do të jetë e nevojshme për të dhënë shenjat e gishtave të tyre. Në Europë ky vendim po zbatohet vetëm në Turqi dhe Shqipëri. BE thotë se kjo do të aplikohet edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
VIS do të aplikohet për qëndrim të shkurtër me viza Schengen. Qytetarët shqiptarë që mbajnë një pasaportë biometrike nuk do të preken nga ky vendim nëse ata udhëtojnë përmes shfrytëzimit të vizave gjashtëmujore me deri 90 ditë qëndrimi në shtetet e zonës Schengen. Kështu shqiptarët do të jenë në gjendje të vazhdojnë të gëzojnë të drejtën e qëndrimit deri 180 ditë në vit për udhëtimet pa viza në vendet e zonës Shengen.
Megjithatë, rezidentët në Shqipëri që – për shkak të kombësisë së tyre – përfshihen në kërkesën për viza Schengen, do t’i nënshtrohen procedurës VIS.
VIS është një bazë qendrore të dhënash për shkëmbimin e të dhënave për vizat për qëndrime afatshkurtra (deri në 3 muaj) mes autoriteteve të shteteve Schengen. VIS do t’i përshpejtojë procedurat e aplikimit për viza dhe kontrollet në kufijtë e jashtëm të zonës Schengen për të shtuar sigurinë.
Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri thotë se futja e VIS në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Turqi më 25 shtator 2014, pason "përhapjen e tij të suksesshme në mënyrë progresive më herët në botë që prej tetorit 2011, dhe së fundmi në maj 2014 në Amerikën Qendrore dhe Veriore, në Karaibe dhe në Australi".
Me VIS, aplikuesit për herë të parë do të duhet të paraqiten personalisht kur paraqesin një aplikim me qëllim që të japin fotografinë e tyre dixhitale dhe shenjat e gishtërinjve. Këto të dhëna biometrike, së bashku me të dhënat e siguruara në formularin e aplikimit për vizë, garantojnë procedura të sigurta, të sakta dhe efikase. Identifikimi nga shenjat e gishtërinjve përdoret përgjithësisht në BE për t’i bërë më të sigurta dokumentet e udhëtimit (për shembull, kur lëshohen pasaporta për qytetarët e BE-së).
Rregullat e rrepta për mbrojtjen e të dhënave përcaktohen në Rregulloren VIS dhe zbatimi i tyre mbikëqyret nga autoritetet kombëtare dhe evropiane për mbrojtjen e të dhënave. Çdo person ka të drejtë të marrë komunikimin e të dhënave të regjistruara në VIS lidhur me të nga shteti Schengen që i ka futur të dhënat në sistem. Çdo person mund të kërkojë gjithashtu që të dhënat e pasakta që lidhen me të të korrigjohen dhe që të dhënat e regjistruara në mënyrë të paligjshme të fshihen.
Mbikëqyrësi Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave monitoron aktivitetet e përpunimit të të dhënave përmes autoritetit të Menaxhimit VIS. /Agjencia e lajmeve Dyrrah/