Tiranë, 16 shtator 2014– Kryeministri Edi Rama gjatë një konference për politikat dhe reformën në arsim, deklaroi se sistemit të arsimit në Shqipëri i kishte humbur busulla.

Ai deklaroi se pas një viti pune intensive, është rigjetur busulla dhe janë vendosur pika të qarta orientimi duke u nisur nga themeli.

Sipas kreut të qeverisë, mbetet domosdoshmëri sigurimi i burimeve financiare për të vendosur standardet në realitet dhe për të zbatuar standardet e arsimit që janë në dokumenta.

“Jemi në një fazë transformimi edhe te arsimi i mesëm, lidhur me maturën shtetërore dhe nga ana tjetër jemi duke hedhur bazat e një transformimi e futjes së një teknologjie të re në arsimin e mesëm. Kemi filluar ndërtimin e disa projekteve me kompani të mëdha ndërkombëtare, në mesin e tyre edhe me Google”, tha kreu i qeverisë.

Si problematikë shqetësuese, ai përmendi mospërputhjen e mësuesve me lëndët që japin. Lidhur me reformën në arsimin e lartë, deklaroi se ligji për arsimin e lartë do kalojë në filtrin e Kuvendit.

Kryeministri bëri me dije se reforma për arsimin e lartë është në proces, në bashkëpunim me një ndihmë ndërkombëtare, duke cilësuar si sfidë të vërtetë procesin e akreditimit.

Sa i takon mbylljes së një numri universitetesh, kreu i qeverisë, tha se tashmë të gjitha universitetet që e kanë kapërcyer kontrollin e ligjshmërisë me sukses, do të përballen me testin e akreditimit, test i cili do të bëhet në bashkëpunim me një kompani prestigjoze ndërkombëtare britanike.

Rama deklaroi se procesi i akreditimit nis në fund të vitit, ndërsa e cilësoi si një sfidë më vete jo vetëm për institucionet e arsimit të lartë të financuara nga privatët, por edhe për institucionet e arsimit të lartë të financuara nga shteti, duke nënvizuar se problemet janë të njëjta si në universitetet private edhe për ato shtetërore.

Lidhur me kopshtet që ndodhen në vend, Rama bëri me dije se ato plotësojnë vetëm 14% të nevojave dhe se duhen shumë më tepër

/Agjencia e lajmeve Dyrrah/