15 Shtator 2014 – Agjencitë rregullatore në Ballkan më në fund kanë rënë dakord të eliminojnë tarifat e telefonisë roaming, të cilat janë shumë më të larta se ato në Europën Perëndimore

Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Maqedonia dhe Turqia kanë rënë dakord të nënshkruajnë një marrëveshje për të eliminuar tarifat super të larta roaming në rajon më 29 shtator, ka konfirmuar Agjencia e Malit të Zi për komunikime elektronike.

Ministrat e Telekomunikacionit të vendeve të Ballkanit do të nënshkruajnë marrëveshjen në qytetin malazez bregdetar të Budvës gjatë Infofest, e cila i dedikohet avancimeve në botën e informatikës, organizuar nga Ministria malazeze e Telekomunikacionit.

Anëtarët e agjencive rregullatore të rajonit do të takohen në Maqedoni për të diskutuar modalitetet e procesit për të krijuar një zonë “roaming pa pagesë” në Ballkan.

Rregullatorët rajonalë të telekomunikacionit besojnë se ata mund të krijojnë një zonë ballkanike roaming pa pagesë më 1 janar të vitit 2015. Kosova dhe Bosnja e Hercegovina do të jenë pjesë e zonës.

Sipas planit, detyrimet roaming do të eliminohen për të gjitha llojet e shërbimeve celulare – zë, mesazhe dhe internet.

“Roaming-u pa pagesë nuk do të fillojë deri në fillim të vitit të ardhshëm, për shkak se disa nënshkrues duhet të përshtatin ligjet e tyre për një marrëveshje të tillë. Atëherë ne mund të vendosim reciprocitet mes vendeve për të fikur roaming dhe për të zbatuar direktivat e BE-së”, – citon e përditshmja malazeze Vijesti Zoran Sekulovic, kreun e Agjencisë së Malit të Zi për komunikime elektronike.

Kostoja e roaming-ut në Ballkan është deri në gjashtë herë më e lartë se kostoja në Europën Perëndimore, tregojnë studimet e fundit.

Nën presion nga Komisioni Europian, operatorë të telefonisë celulare në BE është dashur të bashkohen dhe të reduktojnë çmimet e telefonatave roaming.