DURRËS, 15 shtator 2014 –  Rektorati i universitetit shtetëror të qytetit bregdetar kërkon ndihmën e uniformave blu për goditjen e mitmarrjes gjatë provimeve.

Në një mbledhje të ngushtë me Prefektin e qarkut, lidhur me masat për sigurinë dhe rendin në objektet shkollore të arsimit parauniversitar, z. Mitat Mema, rektor i institucionit publik të arsimit të lartë “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD), bëri një deklaratë që la gojëhapur edhe të pranishmit, duke kërkuar ndihmën e drejtorisë së policisë së shtetit të qarkut për të goditur dukurinë e korrupsionit mes stafit akademik.

“Më kanë ardhur dhjetëra imejlle (e-mail) me adresa konkrete edhe anonime, ku studentët denoncojnë pedagogë, që kërkojnë para për provimet”, deklaroi më 12 shtator 2014 prof. asoc. dr. Mithat Mema.

Sipas rektorit, këto imejlle nuk mund t’i përdorë dot për ta akuzuar të korruptuarit, prandaj i bëri thirrje kryepolicit të Durrësit, z. Perlat Çullhaj, që të fillohen hetime për të vënë para përgjegjësisë ligjore mitmarrësit.

Po ashtu z. Mema ngriti problemin e objekteve pa leje brenda territorit të UAMD-së, që cenojnë sigurinë e procesit mësimor; armëmbajtjen, trafikun e automjeteve etj.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/