Durrës, 15 shtator 2014 – Ashtu siç pritej, Gjykata e Apelit ka vendosur që ish-guvernatori të qendrojë në “arrest shtëpie”. Vendimi është dhënë nga gjyqtari Aludin Malaj, ndërsa në trupën gjykuese bënin pjesë edhe gjyqtarët Agim Bendo dhe Shkëlqim Miri. Tashmë Fullani do të qendrojë në “arrest shtëpie” deri në përfundim të hetimeve nga ana e prokurorisë për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë dhe abuzimet në këtë të fundit.

Gjatë fjalës së tij në seancë Fullani e ka cilësuar vjedhjen e 713 milionë lekëve nga Thesari i Shtetit, shumë të rëndë. “Lajmi për vjedhjen na erdhi si një rrufe në qiell të hapur”-kështu ka rrëfyer nga salla e Gjykatës së Apelit, ish-guvernatori Ardian Fullani, në lidhje me vjedhjen e 713 milionë lekëve nga Thesari i Shtetit. Sipas Fullanit, për 30 vite ai ka punuar me korrektësi të plotë në sektorin bankar.

“Kam punuar me korrektesë dhe ndershmëri. 30 vjet si bankier dhe 10 vjet si guvernator i Bankës së Shqipërisë. Jam udhëhequr nga ligji, pasioni dhe devotshmëria gjatë punës sime. Punova për ngritjen e një institucioni bazuar në ligj, model për bankat qendrore dhe evropiane. Institucionet financiare prestigjioze në botë kanë çertifikuar performancën e BSH. Ngjarja e vjedhjes së Bankës është shumë e rëndë, por ne e kemi denoncuar. Lajmi për vjedhjen na erdhi si një rrufe në qiell të hapur. Duhen marrë masa që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.  Vjedhja në BSH ishte një veprim i ulët dhe i shkëputur. Sapo u konstatua vjedhja në thesar, bashkëpunuam ngushtë me prokurorinë”, u shpreh Fullani nga salla.

Elivar Golemi mbetet ne burg 

Ndërkohë para trupit gjykues doli Inspektorja e Përgjithshme e BSH-së, Elivar Golemi, gjithashtu e dyshuar për “shpërdorim detyre”. Ajo ka pretenduar se provat ndaj saj janë të pamjaftueshme, por me gjithë mbrojtjen e fortë trupi gjykues nuk ndryshoi masën duke e lënë në burg.

Në seancën për rivlerësimin e masës së sigurisë ndaj kryeinspektores Elivar Golemi, prokuroria kërkoi që të mos merrej sot vendimi pasi janë shkelur afatet ligjore, por të qëndrojë në fuqi masa e sigurisë “arrest me burg”, pasi kryeinspektorja nuk ka kryer auditimin konform ligjit. 

Deri më tani Apeli ka shqyrtuar masën edhe për 3 ish-punonjësit e Komisionit të Inventarizimit të kartëmonedhave në Thesar, Ilir Dedja, Bahri Allushi dhe Fatbardha Gurthi duke dhënë për ta masën 'arrest shtëpie'. Për punonjësin Ilir Dedja prokuroria kërkoi rikthimin e tij në burg, ndërkohë që gjykata la në fuqi masën 'arrest shtëpie' dhënë më herët nga Gjykata e Tiranës, duke rrëzuar Prokurorinë. Ndërkohë në rastin e punonjësit Bahri Allushi, Apeli rrëzoi Gjykatën e Tiranës duke ndryshuar masën për të nga 'arrest me burg', në 'arrest shtëpie'.