Durrës, 15 shtator 2014 – Peticioni me rreth 6000 firma të qytetarëve durrsakë, të cilët janë shprehur kundër heqjes së shatërvanit 85 vjeçar nga qendra e qytetit të Durrësit është dorëzuar mesditën e sotme në Komisionin e Restaurimeve.
Dorëzimi i këtij peticioni është bërë pak para nisjes së mbledhjes së këtij komisioni, që sot në qendër të rendit të ditës do të ketë shqyrtimin e çështjes që lidhet me shatërvanin e ndërtuar nga arkitekti Kristo Sotiri.
Nisma, që startoi në forume për t’u spostuar më pas në pika të ndryshme të qytetit bregdetar, me inisiator Forumin e Durrsakëve, mblodhi brenda një kohe të shkurtër mijëra firma nga qytetarët që ishin kundër heqjes së shatërvanit, për t’i hapur dritën jeshile zbatimit të projektit italian për qendrën e qytetit.
Nisja e punimeve për fazën e dytë të rehabilitimit të qendrës së Durrësit u shoqërua me protesta të shumta të qytetarëve, që ngritën zërin e tyre kundër projektit që nuk parashikonte ruajtjen e shatërvanit në vendin që zë prej 85 vitesh.
Qëndrimi zyrtar i Komisionit të Restaurimeve pritet të mësohet pasditen e sotme, ndërkohë që zërit të mijëra qytetarëve durrsakë u janë bashkuar edhe kreu i Aluiznit, Artan Lame dhe arkitekti e eksperti i trashëgimisë kulturore Artan Shkreli. Lame ka shprehur hapur qëndrimin kundër heqjes së shatërvanit, të cilën e ka cilësuar një marrëzi të pakuptimitë, ndërsa Artan Shkreli është shprehur kundër këtij projekti që parashikon heqjen e shatërvanit.
Shatërvani në qendër të qytetit të Durrësit u projektua dhe u ndërtua nga arkitekt Kristo Sotiri, i cili njihej si arkitekti i ish-Mbretit Ahmet Zogu.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





